Morina: Shqiponja më jep forcë, do ta mbroj titullin

Dardan Morina është i gatshëm për duelin e madh kundër Cedric de Keirsmaeker. Në një intervistë për “Lajmi.net”, kikboksieri kosovar zbulon synimet e tij për këtë duel, por edhe planet për të ardhmen.

Sport

22/09/2015 21:40

Dardan Morina, do ta mbrojë titullin e kampionit të botës në versionin WKU, kategoria deri në 76 kilogramë, kundër belgut Cedric de Keirsmaeker, më 25 shtator.

Kikboksieri kosovar aktualisht është kampion bote në këtë kategori ndërsa Keirsmaerker është i dyti në ranglistë.

Morina është me prejardhje nga Kosova, por jeton dhe e zhvillon aktivitetin e tij në Inglstadt të Gjermanisë. Morina titullin në këtë kategori e kishte mbrojtur edhe më 13 mars të këtij viti duke e mposhtur sllovakun, Michal Halada. Dhe, ai është përgatitur maksimalisht që të dalë sërish fitues.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë deri më tani. Jam në formë të shkëlqyeshme. Kam kaluar tetë javë me përgatitje intensive”, deklaroi Morina gjatë një interviste për “Lajmi.net”.

Ai është optimist se do të shënojë fitore. “Në bazë të përgatitjeve të mira që kam bërë, do të shënojë fitore”, shtoi ai.

Morina ka një premtim për tifozët e tij. “Tifozëve shqiptarë ju premtoj se do të jetë një luftë fantastike”, theksoi ai.

Edhe pse ballafaqimet i zhvillon në Gjermani, ai nuk e harron prejardhjen e tij. “Prej kur kam filluar të merrem me sport, gjithmonë e kam mbajtur shqiponjën në brekë ose fanellë. Ajo gjithmonë më ka dhënë forcë”, shpjegon Morina.

Pas duelit Morina ka vendosur të pushojë, nën shoqërinë e familjes dhe vajzës së tij të posa lindur Mayla.

“Pas këtij dueli do të qëndroj rreth dy javë me familjen. Jam bërë baba më 9 shtator, kam një vajzë me emrin Mayla.

Pastaj do të filloj përgatitjet për takimin e radhës në Inglstadt”, theksoi ai.

Morina ka premtuar se do ta vizitojë Kosovën, shpresojmë dhe e urojmë që si kampion absolut.