Moratorium për ujin në Prishtinë

Nga sot deri më 30 shtator, prishtinasit duhet të kenë kujdes se për çka e përdorin ujin e sistemit publik të furnizimit. Në të kundërtën, i pret ndëshkimi nga Komuna. Mos lani veturat, mos ujitni kopshtet. Shpend Ahmeti ju vëzhgon.

Lajme

16/01/2014 14:38

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka marrë vendim që ta kufizojë përdorimin e ujit që rrjedh nga sistemi publik i furnizimit për aktivitete të ndryshme biznesore dhe familjare.

Vendimi ka hyrë në fuqi sot dhe do të zgjasë deri më 30 shtator të këtij viti.

Vendimi prek larjen e automjeteve, larjen e rrugëve, larjen e trotuareve, përdorimin e ujit në punishtet ndërtimore, larjen e shkallëve dhe ujitjen e kopshteve.

Personat fizikë që nuk u përmbahen këtyre rregullave të reja do të gjobiten me 150 euro, ndërsa personat juridikë me 300 euro.

 

Ahmeti ka thënë se për shkak të mungesës aktuale të furnizimit me ujë në sistemin publik, Komuna vlerëson si të nevojshme paraqitjen e masave emergjente, në mënyrë që të sigurojë ujë të pijshëm të mjaftueshëm për popullatën gjatë periudhës emergjente.

“Uji i pijshëm nuk mund të shfrytëzohet për larjen e automjeteve, larjen e rrugëve, larjen e trotuareve, përdorimin e ujit në punishtet ndërtimore, larjen e shkallëve, ujitjen e kopshteve”.

 

“Referuar kësaj Urdhërese, Inspeksioni do të shtojë punën monitoruese konform masave të emergjencës, dhe në rastet të evidentimit të shkeljeve do të ketë penalizime të cilat janë 150 euro për personat fizikë dhe 300 euro për personat juridik”.

“Po ashtu shpresojmë në bashkëpunimin tuaj për informimin sa më të gjerë të publikut në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Kryetari Ahmeti.