Monitoruesit shfaqin pakënaqësi lidhur me Testin e Maturës
Këshilli Rinor Kosovar – KYC në bashkëpunim me Grupin e Monitorueseve të Rinj – YMG ka monitoruar sot procesin e Provimit Shtetëror të Maturës – testi i parë.

Lajme
Edhe pse konstatojnë se procesi i testit të maturës ka kaluar mirë, ky këshill, përmes një komunikate për media, ka ngritur shqetësim për përsëritjen e dukurive të mëhershme, siç janë kopjimi mes nxënësve dhe keqadministrimi i testit.
“Sipas konkluzioneve të vërejtura në teren në 36 qendra të testimit të monitoruara nga ne, procesi dhe mbarëvajtja e provimit shtetëror përgjithësisht ka qenë mirë i realizuar dhe organizuar këtë vit. Ndikim të dukshëm që procesi të ecë mirë është edhe marrja e vendimit nga Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës për vendosje të nxënësve nga hapësirat e hapura në të mbyllura respektivisht në klasa me pesëmbëdhjetë (15) nxënës. Kushtet e ofruara gjatë mbajtjes së testit si dhe mjedisi në të cilën është zhvilluar testi është dukshëm më mirë se në vitet paraprake dhe në një pjesë të madhe i plotëson standardet e nevojshme për një proces të rregullt”, thuhet në një komunikatë për media.
“Përkundër suksesit që monitoruesit tanë kanë theksuar vlen edhe konstatimi dhe shqetësimi që disa nga sfidat të vërejtura edhe në vitet paraprake mbesin ende prezente si dukuri; Administrimi jo i kënaqshëm dhe bashkëpunimi në mes të nxënësve janë ende evidente dhe duhet përmirësuar”.
“Sipas monitoruesve nga 36 qendra të testimit janë evidentuar deri në 40 për qind të rasteve kur administruesit nuk i janë përmbajtur rregullave dhe një pjesë e tyre edhe kanë ndihmuar nxënësit kohë pas kohe në përgjigje të testit”.
“Nga 36 qendrat e testimit të monitoruara deri në 60 për qind të rasteve nxënësit janë toleruar të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, edhe përkundër faktit që numri i nxënësve në klasa ka qenë i vogël dhe ka mundur lehtë të mbikëqyret”.
Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar 36 qendra të testimit në 22 komuna të Kosovës, të cilat janë: Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj, Vushtrri, Pejë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Deçan, Kamenicë, Kaçanik, Mamushë, Fushë Kosovë, Drenas, Junik, Istog, Shtime, Suharekë, Malishevë, Rahovec, dhe Viti.
Pas përpunimit të dhënave nga tereni Këshilli Rinor Kosovar do të publikoj raportin përfundimtar të monitorimit të Testit të Maturës.