Monitorohet KEDS
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare nënshkruan marrëveshje për monitorimin e procesit të pas-privatizimit të kompanisë për distribuim të energjisë elektrike.
Lajme
Qeveria e Kosovës dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) kanë nënshkruar sot një marrëveshje për bashkëpunim si pjesë e asistencës në procesin e post-privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike .
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe Drejtori IFC’së për Evropë dhe Azi Qendrore, Tomasz Telma, ndërsa qëllimi i saj është që të sigurohet asistencë në ekspertizë dhe këshillë dhënie nga IFC gjatë monitorimit të post privatizimit, për t’i adresuar me kohë të gjitha çështjet relevante dhe shmangur përvojat jo të suksesshme në rajon.
Ministri Ismajli, në cilësinë e Kryesuesit të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP) ka thënë se do t’i kushtojë vëmendje të posaçme procesit të post-privatizimit
“Ne jemi marrë vesh që procesi i implementimit të këtij privatizimi të përcillet, të monitorohet, të kontrollohet, të intervenohet me kohë aty ku mund të ndihmohet për të gjetur pikëtakimin optimal në mes të interesave të kompanisë dhe interesave të konsumatorëve”.
Ndërsa, Drejtori i IFC’së për Evropë dhe Azi Qendrore, Tomasz Telma ka deklaruar se më këtë marrëveshje IFC do t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës që të mbikëqyrë implementimin e këtij privatizimi.
Marrëveshja e bashkëpunimit me IFC është një vjeçare me mundësi vazhdimi varësisht nga nevoja dhe vlerësimi nga Qeveria e Kosovës.
“Në njërën anë ne do të sigurojmë implementimin e mirëfilltë të një marrëveshje të nënshkruar dhe në anën tjetër do të punojmë së bashku me Njësinë e Post-Privatizimit për të siguruar se ata do të kenë kapacitete të duhura për t’i shfrytëzuar në të ardhmen”, tha Telma.
Monitorimi rreth obligimeve që dalin nga kontratat e këtij transaksioni, do të mbështetet nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Bankës Botërore.