Molliqaj viziton Thaçin, Veselin dhe të tjerët në Hagë

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, po qëndron për vizitë në Hagë, ku ka takuar në paraburgim të akuzuarit që po përballen me drejtësinë atje, përfshirë edhe krerët e UÇK-së. Këtë, Molliqaj e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, shkruan lajmi.net. “Bashkë me Qëndronin dhe Kujtimin për 3 ditë rresht po…

Lajme

08/02/2023 17:19

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, po qëndron për vizitë në Hagë, ku ka takuar në paraburgim të akuzuarit që po përballen me drejtësinë atje, përfshirë edhe krerët e UÇK-së.

Këtë, Molliqaj e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, shkruan lajmi.net.

“Bashkë me Qëndronin dhe Kujtimin për 3 ditë rresht po qëndrojmë në Hagë. Udhëtimi në Hagë qenka edhe udhëtim në kohë. Siç duket koha historike nuk e ndjek lëvizjen e njetrajtshme e të kurdisur të akrepave. Përjetuam diçka që e kemi ditur si të kryer. Forcat që tërheqin nga mbrapa nuk e pranojnë ngadhënjimin e të vërtetës. Haga të dashur miq është Kosova alternative. Haga është Kosova që mund ta kishim pa UÇK-në. Të mbyllur me dyer hekuri”, ka shkruar Molliqaj.

“I pamë dhe i takuam të gjithë. Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalen, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin. Respektivisht, aty ishte politika e luftës; informimi e fjala e saj; zbulimi e guerilja; disiplina e mbikëqyrja”, ka shtuar Molliqaj.

Kreu i PSD-së tha se ndjesia e tij ishte sikurse në Hagë po jetohet në vitit 1997-1999.

“Bisedat tona janë endur, janë përzier e janë kryqëzuar. Disa prej tyre nuk i kishim njohur personalisht. Nga atje, Prishtina e vitit 2023 është shumë larg. Distanca është sidomos kohore. Aty jetohet në vitet 1997-1999. Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë”, tha Molliqaj.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Emri i UÇK-së nuk mund të jetë nën akuzë. Kosova duhet të bashkohet për drejtësi. Për juristët e ardhshëm, padrejtësia në Hagë do të bëhet shembull, ilustrim unik për shkeljen e të drejtave”, shtoi Molliqaj.

Kjo vizitë e Molliqajt mund të thuhet se bart në vete një kthesë të madhe në raportet mes Molliqajt dhe krerëve të luftës.

Gjatë kohës që ishte në Vetëvendosje, Molliqaj ishte njëri ndër “snajperistët” më të ashpër në sulme politike ndaj krerëve të PDK-së, veçanërisht ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit. /Lajmi.net/