Molliqaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës

Arrestimi i Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë pas lëshimit të një urdhërarresti nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Lajme

01/05/2015 11:15

Kështu ka thënë për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai ka konfirmuar arrestimin e Molliqajt, ndërsa nuk ka dhënë më shumë detaje se çfarë përmban urdhërarresti i lëshuar nga kjo prokurori, duke thënë se ata vetëm e kanë zbatuar urdhër arrestin dhe se për detaje tjera do të informojnë gjatë procesit.

“Policia e Kosovës duke u bazuar në një urdhër arrest  të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i njëjti është arrestuar dhe sipas procedurave në bazë të ligjit i njëjti do të sillet para organeve të drejtësisë”., ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, ka thënë se arrestimi i Sekretarit Organizativ të kësaj lëvizje, Dardan Molliqajt, është bërë pa urdhërarrest publik.

“Dardan Molliqaj arrestohet pa aktakuzë publike dhe pa urdhërarrest publik në aeroportin e Prishtinës. Pushtetet më të këqija autoritate janë ballafaquar me kundërshtarët politik në këtë mënyrë. Nuk do të lejojmë diktaturë në Kosovë, ndërsa Dardani duhet të lirohet menjëherë!”, ka thënë Deda.