Molliqaj thotë se LDK dhe Vetëvendosje vetëm po bëjnë sehir

Dardan Molliqaj, ka sulmuar ish-partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lajme

04/03/2019 22:01

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka sulmuar ish-partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Molliqaj ka thënë në televizionin T7, se këto dy parti opozitare “nuk po bëjnë asgjë”.

“LDK-ja e VV-ja po bëjnë sehir”, është shprehur Molliqaj, teksa ka thënë se këto parti nuk janë në gjendje as ta kundërshtojnë qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Mund të bënin shumë më shumë po të ishin bashkë”, ka vlerësuar deputeti i PSD-së.

Sipas Molliqajt, Kosova “s’ka opozitë”. Ai ka thënë se e vetmja parti opozitare që po angazhohet është partia e tij, duke përmendur hartimin e Ligjit për Dialogun dhe Rezolutën për Dialogun.

“Cili është rezultati i LDK-së e VV-së?”, ka pyetur Molliqaj.