Molliqaj sot përqafoi Haradinajn, dje e quante haraçxhi

Dardan Molliqaj u përshëndet sot ngrohtësisht me Ramush Haradinaj. Mirëpo, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje para një viti sigurisht se nuk do ta bënte një gjë të tillë me kreun e AAK-së.

Lajme

10/09/2014 21:54

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Bllokut LAN me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje, duket se armiqësitë e dy partive u harruan, edhe pse pak si shpejt.

Më 29 qershor të vitit të kaluar, gjatë një konference për media, Molliqaj pati drejtuar akuza të rënda ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e cilësuar si parti kriminale. Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri kanë akuzuar dy partitë opozitare, LDK-në e AAK-në, për mbështetjen që i kanë bërë ratifikimit të marrëveshjes (me Serbinë), ndërsa AAK-në edhe për haraç e fajde në rajonin e Dukagjinit.

Molliqaj pati thënë se partia e Ramush Haradinajt i qet haraç çdo biznesi dhe çdo qytetari në Dukagjin, shkruan Indeksonline.net.

“AAK është subjekti politik i cili të paktën në komunat që i qeverisë në Dukagjin i qet çdo qytetari dhe çdo biznesi haraç, është subjekti i cili është i lidhur drejtpërdrejt me fajdet që i jepen qytetarëve dhe e rrezikojnë jetën e tyre në Dukagjin, dhe është subjekti i cili drejtuesit e tyre, që nga kryetari e te poshtë që janë me miliona pasuri, asnjëherë nuk kanë pas guximin dhe mundësinë për ta deklaruar se cila është prejardhja e kësaj pasurie”, ka thënë Molliqaj.

“Deklarimet e fundit të subjektit të AAK-së, se veprimet e Vetëvendosjes i kanë qitë hije të zezë, mendoj që janë të shpërfillshme, duke pas parasysh se AAK-ja është subjekti politik, krerët e të cilit janë të lidhur drejtpërdrejt me figurat e krimit të organizuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, pati thënë Molliqaj.