Molliqaj shpjegon pse Kurtit iu urua shërim i shpejtë, Mustafës, Hotit e Veselit jo

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas shumë thirrjeve ku politikanë e qytetarë të shumtë po i urojnë shërim të shpejtë kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit pasi ky i fundit u infektua me COVID-19.

Lajme

29/10/2020 17:05

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Molliqaj tha se nuk mbahet mend një ngarendje e tillë kur u infektua Kadri Veseli, Isa Mustafa apo Avdullah Hoti.

“I madh e i vogël u kujdesën t’i përgjigjen thirrjes “shërim të shpejtë” kur Kurti u infektua me covid 19. Nuk e mbaj mend një ngarendje të tillë kur u infektua Kadri Veseli, Isa Mustafa apo Avdullah Hoti. Çfarë na thotë ky dallim? Niveli i parë është ai i përgjigjes në emër të humanizmit, që më shumë është liberale sesa humaniste. Pra, ne nuk jemi sikur ti që na dëshiroje vdekje, na shpallje të shitur e tradhtarë”. Së pari, ata nuk janë të sinqertë sepse nuk u bëhet vonë fare për shëndetin e tij”, ka shkruar Molliqaj.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka njoftuar se është infektuar me COVID 19.

“Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë i Molliqajt, pa ndërhyrje:

Simptoma “shërim të shpejtë”

Hegjemonia është pozicion politiko-ideologjik, por edhe praktikë e përditshme. Ajo nuk vërehet thjesht në një moment kritik të matjes apo përballjes. Atë e gjejmë edhe në sjelljet e ritualet e rëndomta. Ta zëmë, kur përshëndesim, me mënyrën si përshëndesim, kur urojmë, apo edhe kur shajmë. Ajo i bën njerëzit të përbrendësojnë diskurse, siç i bën inferior e të nënshtruar karshi autoriteteve.

I madh e i vogël u kujdesën t’i përgjigjen thirrjes “shërim të shpejtë” kur Kurti u infektua me covid 19. Nuk e mbaj mend një ngarendje të tillë kur u infektua Kadri Veseli, Isa Mustafa apo Avdullah Hoti. Çfarë na thotë ky dallim? Niveli i parë është ai i përgjigjes në emër të humanizmit, që më shumë është liberale sesa humaniste. Pra, ne nuk jemi sikur ti që na dëshiroje vdekje, na shpallje të shitur e tradhtarë”. Së pari, ata nuk janë të sinqertë sepse nuk u bëhet vonë fare për shëndetin e tij. Logjika vazhdon, ne i duam të gjithë, mbase duam gjithçka përveç kontradiktës. Kjo është kërkesa për normalizim, kërkesë që e ruan status-quon, e bashkë me të edhe strukturat shfrytëzuese e dominuese të pushtetit.

Se dyti, do ta marr guximin të them se kjo është simptomë. Këtu duhet lexuar mungesa më shumë sesa deklarimi afirmativ. Përmes këtij reagimi ata po tregojnë se në shtresat e thella të ndërgjegjes së tyre e kanë pranuar Kurtin si instancë etike, si lider suprem.

Ky qëndrim vjen nga një pozicioni që afirmon bindjen se ekziston një botë. Njerëzimi si i tillë. Kushdo që e lexon si dëshirë ndjellakeqe, është dashakeq ose s’ka kuptuar asgjë. /Lajmi.net/