Molliqaj: LDK dhe Vetëvendosje nuk guxojnë të iniciojnë rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i PSD-së në Kuvendin e Kosovës, Dardan Molliqaj ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje nuk guxojnë të iniciojnë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj.

Lajme

05/02/2019 22:10

Molliqaj, në RTV Dukagjini, ka thënë se opozita nuk guxon të shkojë në zgjedhje sepse gjatë këtij viti duhet të përmbyllet marrëveshja me Serbinë.

“Pse LDK dhe Vetëvendosje nuk guxojnë të fillojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë? Sepse duhet të përfundohet ky vit me marrëveshje me Serbinë. As subjektet e tjera nuk guxojnë të dërgojnë vendin në zgjedhje”, tha ai.

Sipas deputetit të PSD-së, me që këtë vit zgjedhje nuk ka këto subjekte kanë vendosur të “shajnë e të bërtasin sa duan”.

Molliqaj ka thënë se për shkak të këtyre proceseve që po kalon Kosova, PSD ka vendosur të shtyjë gjërat përpara në interes të p♪rgjithshëm.

“Ne kemi vendosur të shtyjmë gjëra që ju ndihmojnë njerëzve. Për mua pesë kushtet që i kemi vendos Qeverisë [në këmbim të votës për buxhetin] ju ndihmojnë njerëzve”, deklaroi Molliqaj.