Molliqaj: Kurti po krijon kauzë viktimizimi për t’i mobilizuar votuesit e tij

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vendin tonë, me theks të veçantë mos-certifikimin nga ana e KQZ-së të kreut të VV-së, Albin Kurti.

Lajme

23/01/2021 17:28

Kjo situatë, Molliqajt ia ka kujtuar një dokument të shkruar nga Kurti që ai thotë se ishte arsye kryesore e ndarjes së tij me VV-në, shkruan lajmi.net.

Ai ishte dokumenti ku Kurti nënvizonte se pa një gjendje të jashtëzakonshme VV s’do të arrijë ta marrë pushtetin e as ta mbajë atë.

“Por, situata e krijuar këto ditë, ma kujtoi një citat të Albin Kurtit në dokumentin e tij të famshëm mbi organizimin e VV, dokument i cili ishte mospajtimi kyç në mes nesh që u ndamë dhe atyre që mbetën. “Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme, dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme…” (f.45) – kështu shkruante atëbotë Kurti”, ka shkruar Molliqaj.

Ai thotë se Kurti dhe VV po e do gjendjen e jashtëzakonshme, sepse sipas tij kjo i hap rrugë atij për të qenë arbitrar, për të shkelur Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat qytetare.

“Por Kurti me gjasë nuk do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ. Ai mund të pranojë mos-kandidimin. Por ai është duke krijuar kauzë viktimizimi, për t’i mobilizuar votuesit e tij, drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Ai po ndërton justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme pasi ta marrë pushtetin. “Të gjithë provuan të më eliminojnë” do të thotë, “të gjithë që s’janë me mua janë armiqtë e popullit” dhe do t’i duhet gjendja e jashtëzakonshme për t’i eliminuar ata”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

KURTI I GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME

Është e padrejtë dhe jodemokratike t’i ndalohet kandidimi në zgjedhje kujtdo që është dënuar në të kaluarën për veprime politike. Mos-lejimi i kandidimit të personave që janë dënuar për aktivitete politike është instrument i rrezikshëm për disiplinimin e kundërshtarëve politikë, nga kushdo qoftë në pushtet.

Por, situata e krijuar këto ditë, ma kujtoi një citat të Albin Kurtit në dokumentin e tij të famshëm mbi organizimin e VV, dokument i cili ishte mospajtimi kyç në mes nesh që u ndamë dhe atyre që mbetën. “Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme, dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme…” (f.45) – kështu shkruante atëbotë Kurti.

Dhe sot pikërisht këtë po e realizon Kurti e VV-ja. VV-ja nuk po e kundërshton parimisht ligjin që ndalon deputetët e penalizuar të kandidojnë. VV-ja e di që nëse me të vërtetë e paska atë përqindje që po e parashikojnë, askush nuk do të mund ta ndalë Kurtin të bëhet kryeministër. Por VV-ja dhe Kurti po duan GJENDJE TË JASHTËZAKONSHME. Sepse gjendja e jashtëzakonshme t’i zgjidhë duart për të qenë arbitrar. Për të shkelur kushtetutën, ligjin e të drejtat qytetare. Përmes gjendjes së jashtëzakonshme kanë operuar shumica e pushteteve autoritare e totalitare. Në gjendje të jashtëzakonshme s’ka ligj e procedura, ka vetëm NJË instancë që vendosë, e ajo është pushteti – lideri. Gjendja e jashtëzakonshme t’i jep KREJT.

Por Kurti me gjasë nuk do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ. Ai mund të pranojë mos-kandidimin. Por ai është duke krijuar kauzë viktimizimi, për t’i mobilizuar votuesit e tij, drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Ai po ndërton justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme pasi ta marrë pushtetin. “Të gjithë provuan të më eliminojnë” do të thotë, “të gjithë që s’janë me mua janë armiqtë e popullit” dhe do t’i duhet gjendja e jashtëzakonshme për t’i eliminuar ata.

Dhe në fund, Kurti nuk do ta ndryshoj këtë ligj fare. Përkundrazi, do ta përdorë njësoj si pushteti aktual, për disiplinimin e kundërshtarëve politikë në të ardhmen. /Lajmi.net/