Molliqaj: Kemi Presidencë të varur nga faktori ndërkombëtar

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka kritikuar punën e Presidencës, duke e vlerësuar atë si pa fuqi politike dhe të varur nga faktori ndërkombëtar. Sa i përket koalicioneve, ai ka thënë se Vetëvendosje nuk bashkohet as me PDK-në e as me bllokun LDK-AAK-Nisma.

Lajme

07/08/2014 19:22

Molliqaj në emisionin “InfoMagazine” të KlanKosova ka theksuar se presidenti i Kosovës nuk ka integritet të madh politik e institucional.

Sipas tij, po të ishte e kundërta, do të ishte më e lehtë të adresoheshin çështjet drejtpërdrejt në Presidencë.

“Ne kemi një Presidencë komplet formale, pa asnjë fuqi politike. E varur nga faktori ndërkombëtar. Po të kishim një president me integritet më të madh politik e institucional, do të ishin çështjet më mirë. Shumë prej çështjeve do t’i adresonim tek ai drejtpërdrejt e jo të prisnim nga Gjykata Kushtetuese”.

Molliqaj ka shprehur edhe njëherë qëndrimin kundër të partisë së tij ndaj dialogut me Serbinë. Sipas tij, edhe dialogu politik edhe ai teknik e kanë degraduar shtetin.

“Ne nuk mund të vazhdojmë me logjikën që Serbia e kushtëzon Kosovën. Ajo na ka kushtëzuar, prej fusnotës e me radhë. Ne duhet ta kushtëzojmë Serbinë”.

“Nëse vazhdojmë me të njëjtat marrëdhënie me Serbinë, Kosova nuk ecën përpara, as nuk do të kemi hapa drejt Bashkimit Evropian. Krejt dialogu i deritanishëm ka qenë i dëmshëm”, tha ai.

Molliqaj deklaroi se vendit i duhet një qeveri e re me politika të reja dhe se pikërisht veprimi i VV-së është krijimi i një qeverie me rrethana të reja.

Nëse Vetëvendosje hyn në qeverisje, ajo do ndryshime të prekshme në Kosovë.

 “Ne nuk kemi problem me PDK-në as me zotin Thaçi, por me politikat e tyre. Nëse përputhemi me politikat, ne s’kemi problem, por pikërisht aty ne s’përputhemi”.

 “Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së. Nuk do të jetë as pjesë e bllokut LDK-AAK-Nisma”.

“Dallimi jonë me ta është shumë i madh. Ne do të kandidojmë si subjekt i cili mund të përfshijë sindikata, njerëz nga shoqëria civile, por assesi të bëhemi pjesë e partive të mëdha”, tha Molliqaj.