Mohon kthimin e Limajt në PDK

Jakup Krasniqi thotë se lajmi për kthimin e Fatmir Limajt në PDK është krejt gënjeshtër. Ndryshe, Limaj dhe Krasniqi, dikur dy nga figurat kryesore brenda PDK’së, kanë lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re pas prishjes së tyre me PDK'në.

Lajme

08/01/2014 15:09

Jakup Krasniqi mohon kthimin e Fatmir Limajt në Partinë Demokratike të Kosovës.

Në media sot ka qarkulluar një lajm në të cilin thuhej se deputeti Limaj do të kthehet në PDK, pas konsultimeve të supozuara se kanë ndodhur mes tij dhe Kryeministrit dhe kryetarit të kësaj partie, Hashim Thaçi.

Por, ky lajm demantohet nga politikani aktualisht më i afërt me Limajn, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Është gënjeshtër”, thotë Krasniqi për lajmi.net.

“Për këtë çështje më mirë është të pyetet Fatmiri. Por, unë nuk besoj se lajmi është i vërtetë”.

“Besoj se është krejt gënjeshtër, mirëpo për këtë duhet të flasë vetë ai”, thotë Krasniqi për lajmi.net.

Limaj dhe Krasniqi, dikur dy figura kryesore brenda PDK’së, kanë lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re, pas përplasjeve që ata kishin me drejtuesit e kësaj partie.

Si deputetë të dy votuan në disa raste kundër vendimeve të koalicionit qeveritar.

Limaj në Malishevë dhe Krasniqi në Drenas, po ashtu, u angazhuan maksimalisht për fitoren e dy Iniciativave Qytetare në këto Komuna, që garonin përballë PDK’së, e cila humbi njërën nga këto beteja zgjedhore.

Pas zgjedhjeve lokale Thaçi dhe Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli, u kanë bërë thirrje Limajt dhe Krasniqit që të kthehen në PDK, por thirrje e tyre nuk ka mirëkuptimin e tyre.

Deri tash Limaj dhe Krasniqi kanë folur për një alternativë të re politike, por pa dhënë detaje dhe pa ndërmarrë hapa konkret, duke lënë kështu hapësirë për debate dhe interpretime të ndryshme.