Mogherini kritikon Rusinë për aneksimin e Krimesë

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, ka kritikuar Rusinë në prag të pesëvjetorit të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Kremlini.

Bota

17/03/2019 12:44

Në një deklaratë të lëshuar sot, vetëm një ditë para pesëvjetorit të aneksimit të Krimesë nga Rusia, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se BE-ja “vazhdontë jetë e palëkundur në angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

“Bashkimi Evropian përsërit se nuk njeh dhe vazhdon ta dënojë shkeljen e ligjeve ndërkombëtare. Vazhdon të jetë një sfidë (aneksimi i Krimesë) për sigurinë ndërkombëtare me implikime të mëdha në rendin ligjor ndërkombëtar që mbron integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e të gjitha shteteve”, ka thënë Mogherini.

Mogherini po ashtu ka thënë se “shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Rusia kanë çuar në rritjen e rrezikshme të tensioneve në Ngushticën Kërç dhe Detin Azov”.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, po ashtu ka thënë se “përdorimi i pajustifikuar i forcës” nga Rusia në nëntorin e vitit të kaluar, ndaj anijeve ukrainase dhe kapjen e anëtarëve të ekuipazhit në Ngushticën Kërç, që gjendet afër Krimesë, “është një përkujtues i efekteve negative që ka aneksimi i paligjshëm i Gadishullit të Krimesë në stabilitetin rajonal”./rel