Mogherini: Dialogu nis pas pezullimit të taksës, u takon palëve të arrijnë marrëveshje

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i ka bërë thirrje edhe njëherë Kosovës që ta pezullojë taksën e vënë ndaj produkteve serbe.

Lajme

12/03/2019 18:45

Sipas Mogherinit çështja e pezullimit të taksës lidhet direkt me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, transmeton lajmi.net.

Ajo tutje ka thënë se do të thërrasë vazhdimin e dialogut mes palës kosovare dhe asaj serbe, menjëherë pasi që Prishtina ta suspendojë taksën.

“Për vazhdimin e plotë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, taksa duhet të pezullohet. Menjëherë pasi që kjo të bëhet unë do të thërras për takimin e rradhës mes dy palëve. Ky dialog duhet të normalziojë plotësisht raportet mes dy shteteve”, ka thënë sot Mogherini.

Mogherini tutje ka nënvizuar se megjithë gatishmërinë e BE-së për ndërmjetësim në dialog, u takon palëve që të gjejnë një marrëveshje të përshtatshme për dy palët.

Kujtojmë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka hyrë në fazë të ngecjes që pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe nga Qeveria e Kosovës.

SHBA-të dhe BE-ja tash e disa kohë kanë intensifikuar presionin mbi autoritetet e Kosovës për pezullimin e këtij vendimi, në mënyrë që t’i lirohet rrugë dialogut mes dy vendeve.

I vetmi që po e kundërshton këtë është kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. /Lajmi.net/