Mogherini deklarohet para vizitës në Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini është deklaruara para vizitës që do të iu bëjë vendeve të Ballknait Perëndimor.

Lajme

01/03/2017 13:06

“Po punoj që ta shoh secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecë në rrugën e reformave drejt Bashkimit Evropian, e për t’u siguruar që procesi është i pakthyeshëm”, deklaroi Mogherini përpara nisjes së turit të saj në Shqipëri, Kosovë, Bosnje, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni.

“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten të një rëndësie kyçe në këtë kontekst”, shtoi shefja e diplomacisë evropiane. Përfaqësuesja e lartë e çështjeve të Jashtme dhe politikave të Sigurisë në BE e nis valën e vizitave në Podgoricë, ku do t’i drejtohet Parlamentit gjatë një seance të posaçme, transmeton TCh.

Turi mbyllet më 4 mars me ndalesën në Tiranë. Vizita e kryediplomates evropiane vjen në mesin e protestave të rrugës të organizuara nga Partia Demokratike dhe të reformës së rëndësishme në drejtësi, që blloku evropian kërkon ta shohë të përfunduar.

Një situatë e ngjashme, ndonëse në kontekst krejt tjetër, e pret edhe në Maqedoni, ku mbështetës të partisë në pushtet VMRO-DPMNE kanë dalë në rrugë kundër krijimit të një koalicioni qeverisës të LSDM-së me partitë shqiptare.

Agjenda e ndalesës në Serbi ende nuk është bërë publike, por me shumë gjasë do të përfshijë diskutime mbi të ardhmen e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja. I gjithë rrugëtimi i Mogherinit, në fakt ndërmerret në një kohë tensionesh etnike dhe politike, që kërcënojnë – sipas ekspertëve, – minimin e proceseve integruese të rajonit, ndaj dhe vizita e saj duket se synon pikërisht qetësimin e tyre.