Mobilizim në gjithë Evropën pro refugjatëve

Nga Londra në Kopenhagë, dhjetëra-mijëra evropianë kanë dalë të shtunën në rrugë për të kërkuar më shumë zemërgjerësi karshi refugjatëve, të cilët kanë vërshuar vendet e BE-së.

Bota

13/09/2015 08:40

Në Londër, dhjetëra-mijëra njerëz kanë manifestuar për të kërkuar nga qeveria konservatore e David Cameronit një politikë më bujare të pritjes për refugjatët, të cilët kërkojnë azil në Evropë pasi kanë ardhur përmes Mesdheut, Ballkanit dhe Evropës Qendrore.

“Gjesti i parë” i liderit të ri të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, i zgjedhur në mëngjes, ka qenë bashkëngjitja në manifestim, pasi më parë i kishte kërkuar qeverisë më shumë “dhembshuri”.

Nën presion, z. Cameron ka njoftuar ditëve të fundit pritjen e 20.000 refugjatëve sirianë në pesë vjet. Por, për Dushan Petkoviqin, një prej pjesëmarrësve në manifestimin londinez, kjo shifër është “patetike”.

Në Danimarkë, 30.000 persona kanë defiluar në Kopenhagë, dhe disa qindra në qytete të tjera të një vendi që është angazhuar në ashpërsimin e legjislacionit rreth imigracionit.

Në Francë, qeveria, e cila është angazhuar të presë 24.000 refugjatë brenda një viti, ka njoftuar për krijimin e vendeve të reja të strehimit. Parisi po ashtu ka njoftuar për rritjen e “kontributit” francez në organizmat e OKB-së që merren me miliona refugjatë në vendet fqinje të Sirisë.

Në Gjermani, që është bërë kampione e pritjes së refugjatëve me 450.000 të ardhur të rinj të regjistruar që nga fillimi i vitit, një manifestim me qirinj është organizuar në mbrëmje në Berlin.

Vetëm gjatë të shtunës “së paku 10.000” refugjatë kanë ardhur në stacionin e Munichut.

Kancelarja Angela Merkel u ka bërë thirrje sidomos refugjateve (femra) që ta mësojnë gjermanishten dhe të mos mbeten të izoluara në komunitetet e tyre të origjinës për të favorizuar integrimin e tyre. /Zëri