Mladic nuk dëshmon për Karadzic

Ratko Mladic ka refuzuar që të dëshmojë në mbrojtje të Radovan Karadzic. Për dy arsye: e para se kjo gjë do të mund të ndikonte keq në gjykimin e tij. E dyta: Mladic mendon se Tribunali i Hagës nuk është gjykatë e drejtësisë por është institucion satanik.

Lajme

28/01/2014 22:49

Ish Komandanti i Ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic ka refuzuar që të dëshmojë në seancën e së martës për gjykimin që po mbahet për ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karadzic.

Karadzic dhe Mladic janë akuzuar për gjenocid nga Tribunali i Hagës.

Mladic ka thënë se ai nuk e njeh Gjykatën e Hagës dhe thotë se ajo është satanike (djallëzore).

“Nuk është një gjykatë e drejtësisë, dhe ajo po na ndjek ne për vet faktin se ne jemi serb, dhe janë duke u munduar që të mbrojnë njerëzit tanë nga ne”, tha ai.

Mladic ishte arrestuar në maj të vitit 2011, dhe është duke u gjykuar ndaras nga aleati i tij Karadzic. Mladic ishte pajtuar që të përgjigjej vetëm në njërën nga gjashtë pyetjet- dhe kishte refuzuar që të përgjigjej në pyetjet e tjera nën pretekstin se do të mund  të ndikonin keq në gjykimin e tij.

Ndërkaq, Karadzic është duke u ballafaquar me dy gjykime për gjenocid, dhe në mes të veprave që akuzohet është edhe për masakrën e Srebrenicës në të cilën u vranë afër 8 mijë burra myslimanë.

 

Mladic ishte pyetur nëse Karadzic e kishte informuar atë qoftë me gojë apo me shkrim, se të burgosurit në Srebrenicë do të vriteshin. Ai gjithashtu u pyet nëse kishte pasur marrëveshje me Karadzic se nëse boshnjakët e Sarajevës do të duhej të ishin nën shënjestrën e snajperistëve.

Më shumë se 10 mijë persona, shumica prej tyre popullsi civile kanë vdekur gjatë rrethimit të gjatë të qytetit të Sarajevës- ku forcat e serbëve të Bosnjës e kishin sulmuar këtë qytet çdo ditë nga ajri dhe nga toka.

Radovan Karadiz ishte kapur në vitin 2008, pasi që ishte fshehur për 13 vite. Ai ishte maskuar mjaft mirë, gjë që nuk e bëri të lehtë kapjen e tij. Kur policia e arrestoi ai kishte flokë dhe mjekër të gjatë, dhe ushtronte mjekësi alternative në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd.

Gjykimi për të filloi në vitin 2009, dhe prokurorët pushuan këtë çështje në maj të 2012. Por pala mbrojtëse pritet që të fillojë të paraqes dëshmitë e saj në muajin tetor të këtij viti.

Mladic është i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës. Gjykimi për këto akuza kishte filluar në vitin 2011.

Si Mladic po ashtu dhe Karadzic po përballen me një burgim të përjetshëm. Tribunali i Hagës nuk mund që të shqiptojë dënim me vdekje.

Deri më tani Tribunali i Hagës ka proceduar një sërë çështje që kanë lidhje me krimet e luftës të kryera në konfliktin e Ballkanit në vitet 1990.

Por, masakra e Srebrenicës ka qenë emblema e shpërbërjes së Jugosllavisë- e cila më pas solli një konflikt të përgjakshëm dhe brutal.

Të tjerë të akuzuar për krime lufte dhe gjenocid janë edhte lideri i serbëve të Kroacisë, Goran Hadzic, i cili është i akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithashtu Vojislav Seselj, një politikan serb nacionalist i cili përballet me akuzat për krimet kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Tribunali i Hagës përveç çështjeve që ka përfshirë serbët e Bosnjes dhe të Kroacisë, gjithashtu ka zhvilluar edhe disa gjykime për shqiptarët e Kosovës.