MKRS premton më shumë përkrahje për Muzeun e Kosovës
Që Muzeu, të jetë një nga institucionet më përfaqësues për vendin dhe ku qytetarët e Kosovës dhe turistet të shohin nga afër trashëgiminë kulturore të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka premtuar më shumë përkrahje për këtë institucion.
Lajme
Këtë e ka thënë sot ministri i kësaj ministrie, Memli Krasniqi, i cili ka zhvilluar takim me drejtorin e muzeut Arsim Mehmeti, të cilin po ashtu e ka uruar edhe për postin e tij që e ka marrë tash së voni.
Që të dy kanë diskutuar për planet dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen.
Në një njoftim të kësaj ministrie, thuhet se Krasniqi e ka informuar Mehmetin se drafti i Ligjit për Muzetë është gati, dhe se me hyrjen e tij në fuqi, do të ndihmojë dhe lehtësojë shumë punën e muzeve dhe se do të ndikojë në rritjen e efikasitetit dhe performancës. Ai tha se është e nevojshme që në vazhdimësi të ketë një përgjegjësi në punë dhe respektim të ligjit.
Ndërkaq, drejtori i ri i Muzeut të Kosovës, Arsim Mehmeti e falënderoi ministrin për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar për Muzeun në të kaluarën dhe premtimet për përkrahjen në të ardhmen. Ai e ka informuar ministrin për planet që ka për Muzeun e Kosovës ku theksoi se do të thellojë dhe lidh bashkëpunimin me institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare, duke synuar që të promovohet trashëgimia e jonë kulturore. Mehmeti tha se është synim i tij që Muzeun ta bëjë një pikë orientuese dhe promovuese për Kosovën.