MKK: Për dy vjedhje ordinere, Kosova vend i pasigurt për serbët

Ministri për Komunitete dhe Kthim në detyrë, Dalibor Jevtiq, përmes një komunikate për media ka dënuar një tjetër incident që ka ndodhur ndaj serbëve në Kosovë.

Lajme

11/08/2014 22:07

Jevtiq më parë kishte reaguar për vjedhjen e një lope një serbi të Kosovës, ai sot ka reaguar për vjedhjen e një traktori një qytetari serb nga fshati Gurrakoc në komunën e Istogut, transmeton KosovaPress.

Kanë mjaftuar vetëm dy vjedhje ordinere, që shqiptarëve u ngjajnë me dhjetëra gjatë ditës, që ministri të thotë se Kosova është vend i pasigurt për serbët.

“Vjedhja e djeshme e traktorit të familjes tre anëtarësh Miodrag Spasiq, nga fshati Gurrakoc, në komunën e Istogut, nuk është vetëm vjedhje e të mirave materiale, por vjedhje e mundësisë për ekzistencë. Është e qartë se apeli i cili i drejtohet autorëve është që sa më shpejt të jetë e mundur të zihen dhe japin efekt. Unë mendoj se mizoritë e tilla vetëm dërgojnë një mesazh të keq për të gjithë të kthyerit dhe se Kosova është një vend i pasigurt për ta, dhe se ndikojnë shumë keq në procesin e kthimit dhe mbijetesës”, thuhet në komunikatën e MKK-së.

“Përkundër këtyre problemeve me të cilat përballemi, kur është fjala për kthimin, Ministria për Komunitete dhe Kthim do të mundohet që në misionit e saj, kur është fjala për kthimin dhe mbijetesën në Kosovë, të zbatohet në mënyrën më të suksesshme. Ne gjithashtu do të jemi këmbëngulës për të siguruar jetë normale për të kthyerit. Prandaj, ne bëjmë apel për të gjithë për të bërë më shumë në mënyrë që të kthyerit të jenë të sigurtë”, ka thënë ndër të tjera ai.