Mjeti lundrues ishte vjedhur në Turqi, sekuestrohet nga policia shqiptare

Policia Kufitare e Sarandës e ka bllokuar një mjet lundrues turistik dhe ka vënë në pranga kapitenin e këtij mjeti.

Lajme

06/08/2019 23:52

Nga shkëmbimi në kohë reale i informacionit me autoritetet e Turqisë dhe nga verifikimet me Interpolin ka rezultuar se mjeti turistik “LIBERTAS” ishte vjedhur në Turqi.

Mjeti turistik me tre shtetas ne bord (një turk dhe dy rusë) i cili vinte nga Korfuzi ka hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet portit të Sarandës.

Nga punonjësit e Policisë Kufitare gjatë përpunimit të dokumentacionit, nisur edhe nga përbërja e ekuipazhit, u dyshua se ky mjet ishte i vjedhur.

Për këtë arsye punonjësit e Policisë Kufitare të Sarandës kanë shkëmbyer informacion me homologët grekë dhe malazezë dhe pas verifikimeve të kryera edhe nga Interpol Tirana rezultoi se këtë mjet këta shtetas ia kishin vjedhur një shtetaseje turke.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë vendore të Sarandës dhe me Prokurorinë  shtetasi D. U, 47 vjeç nga Turqia, u ndalua për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Policia turke është njoftuar për të kontaktuar me pronaren e mjetit lundrues për veprime të mëtejshme./ Top Channel