Mjekut i konfirmohet dënimi me burg
Gjykata e Apelit konfirmon dënimin e mjekut Xhavit Hajdari prej një viti burgim efektiv për veprën penale marrje të ryshfetit.

Lajme
Gjykata e apelit ka konfirmuar dënimi prej një viti burgim efektiv për të akuzuarin Xhavit Hajdari i cili ishte dënuar në vit më parë nga Gjykata Komunale e Gjilanit.
“Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit, i ka konfirmuar dënimin prej një viti burgim efektiv, të akuzuarit Xh. H., shpallur fajtor nga Gjykata Komunale e Gjilanit, më 09.12.2012, për veprën penale – marrje e ryshfetit sipas nenit 343 paragrafi 1, të Kodit Penal të Kosovës”.
“Po ashtu ky kolegj, ndryshe nga ç`kishte vendosur shkalla e parë, i ka hequr të akuzuarit në fjalë, dënimin plotësues – ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë, detyrës në kohëzgjatje prej 2 vitesh( pas mbarimit të dënimit me burg), pasi që ka gjetur se mungon propozimi i prokurorisë lidhur më shqiptimin e kësaj mase”.
“Në çështje tjera, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e palës mbrojtëse dhe prokurorit, duke e lënë aktgjykimin e shkallës së parë të pandryshuar. Gjykata e shkallës se dytë ka vërtetuar se pararendësja e saj, më plotë të drejtë ka konstatuar se i dënuari, në cilësi të drejtorit rajonal të spitalit të Gjilanit, me datën 19.07.2012, në restorantin“Bujana”, në emër të ryshfetit, kishte pranuar nga e dëmtuara S.D. shumën prej 2 mijë euro”.
“Kjo si kundërvlerë për favoret e krijuara në dobi të kompanisë të së dëmtuarës, lidhur me fitimin e një tenderi për mirëmbajtjen e higjienës së spitalit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.