Mjeku i QKMF-së sqaron videon që i doli në publik: Nuk janë të vërteta pretendimet, i ofruam ndihmë pacientes

Njëri prej mjekëve që ishte protagonist i videos ku një person pretendonte se nuk po i jepet shërbimi i duhur një pacientes, ka mohuar tërë ngjarjen.

Lajme

26/11/2020 16:12

Sazan Elezkurtaj, mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, ishte protagonist i një videoje, ku një qytetar nga Prizreni pretendonte se të afërmit të tij mjekët nuk i ofruan shërbim, e për më tepër sipas tij, ata rrinin ulur.

Por këtë e ka mohuar për lajmi.net, vetë Sazan Elezkurtaj.

Lexo edhe: 

Në QKMF-në e Prizrenit, stafi mjekësor rri ulur e nuk ndihmon pacientin

Ai ka thënë se nuk është aspak e vërtetë ajo që ky qytetar e ka pasqyruar në video, madje Elezkurtaj thotë se pacientes iu ofrua ndihma e duhur.

“Pacientes i është ofruar ndihma e duhur dhe të gjitha të dhënat janë regjistruar në librin e QKMF-së, libër ky i cili kontrollohet nga QKMF-ja por edhe Inspektorati. Është e pamundur që unë të mos i ofroj ndihmë ndonjë pacienti, kjo nuk është në kulturën dhe etikën time”, ka sqaruar Elezkurtaj për lajmi.net.

Sipas tij, për shkak të kësaj videoje ka marrë edhe telefonata të ndryshme të cilat i kanë sjellë shqetësime atij dhe familjes.

Elezkurtaj, ka dërguar edhe fotografi në adresë të redaksisë së lajmi.net, ku dëshmojnë se pacientes në fjalë i është ofruar ndihma. /Lajmi.net/