Mitrovica shënon me aktivitete ‘Ditën Botërore të Veshkave’

Me rastin e ‘Ditës Botërore të Veshkave’ stafi i Hemodializës në Mitrovicë ka organizuar sot aktivitete të ndryshme për sensibilizimin dhe parandalimin e sëmundjeve të veshkave tek qytetarët.

Lajme

10/03/2016 14:50

Përveç ligjëratave të mbajtura me nxënës të shkollave rreth kësaj teme, janë përgatitur edhe shumë pyetësorë dhe fletëpalosje për njoftimin e qytetarëve rreth mbrojtjes së veshkave.

“Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën dhe shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë. Gjithashtu, ato janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë”, u tha mes tjerash në këto ligjërata.

Ky staf, po ashtu gjatë gjithë ditës ka organizuar në ambient të hapur edhe matjen e glikemisë në gjak dhe tensionin arterial tek qytetarët, të cilët përkundër motit të keq treguan interesim të madh.

Bashkim Hasani, internist-nefrolog, njëherësh shef i repartit të Hemodializës në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress se një aktivitet i tillë është risi për qy tetin e Mitrovicës, ngase që nga viti 2009 Dita Botërore e Veshkës është shënuar vetëm në kryeqytet.

Sipas tij, kjo fushatë ka për qëllim sensibilizimin e opinionit të gjerë për rëndësinë e veshkave si organ, rrezikun nga sëmundjet, si dhe parandalimin e tyre.

Hasani: Të veprojmë më herët për parandalimin e sëmundjeve

“Motoja e sivjetme e Ditës Botërore të Veshkës është sëmundjet e veshkave dhe fëmijët, të veprojmë më herët për t’i parandaluar ato, dhe është një fushatë e vetëdijesimit dhe sensibilizimit të qytetarëve duke filluar që nga fëmijët, edukatorët, prindërit, mësuesit e tyre, gjithë qytetarët, deri tek politikëbërësit, për rëndësinë e veshkës si organ dhe të njoftohen qytetarët për rrezikun e sëmundjeve nga veshka apo si t’i parandalojmë ato në mënyrë që të mos vije deri tek pamjaftueshmëria kronike e veshkës…Siç po e shihni sot moti nuk është me neve, për arsye se po bie shi, ka një frekuentim më të vogël të qytetarëve, megjithatë është përgjigjur një numër i caktuar i qytetarëve”, ka thënë Hasani.