Mitrovica feston nën masa të rrepta të sigurisë

Qyteti i Mitrovicës është “ndezur” të dielën mbrëma pas fitores së Kombëtares në sfidën ndaj Armenisë dhe kualifikimit në Kampionatin Evropian 2016.

Lajme

11/10/2015 21:22

Festimet më të mëdha u bënë në qendër të qytetit, aty ku menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ishin mbledhur qindra tifozë, ndërsa shumë qytetarë kanë vërshuar me makinat e tyre për të festuar nëpër rrugët e këtij qyteti.

Nuk kanë munguar flamujt kombëtarë, brohoritjet ‘Shqipëri etnike’, ‘Jo nuk ndahet Mitrovica’ sirenat, fishekzjarrët etj, ndërsa festua po vazhdon edhe tani kur po raportojmë.

Masa të rrepta sigurie janë ndërmarrë dhe vërehet numër i shtuar i policëve të cilët kanë formuar kordonin para urës kryesore mbi Ibër, duke mos lejuar qytetarët të ofrohen në drejtim të saj, për ta ruajtur në këtë mënyrë qetësinë e situatës edhe ashtu nën tension.

Derisa në jug të qytetit atmosfera ishte e zjarrtë, në veri mbretëron situatë e qetë dhe me pak qytetarë nëpër rrugë, ndërsa vërehen po ashtu forca të shtuara policore pranë cepit verior të urës.

Nuk është shënuar ndonjë incident. /Kp