Mitrovica e sigurt drejt zgjedhjeve

Janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për të ofruar një ambient të sigurt për zgjedhjet e jashtëzakonshme pë Kryetar të Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR kanë bashkërenduar aktivitetet që pritet t'i kenë më 23 shkurt.

Lajme

21/02/2014 15:15

Policia e Kosovës, EUELX dhe KFOR kanë bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Përmes një komunikatë të përbashkët, PK, EULEX dhe KFOR kanë bërë të ditur se do të bashkëpunojnë për të garantuar siguri në zgjedhjet 23 shkurtit.

“Aspektet e sigurisë për zgjedhjet komunale në pjesën veriore të Mitrovicës që do të mbahen të dielën më 23 shkurt, janë planifikuar me kujdes dhe janë bashkërenduar ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it”.

“Policia e Kosovës, si reagues i parë, do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe në hapësirat tjera të rëndësishme, e përkrahur në mënyrë të dukshme nga EULEX-i, si reagues i dytë. KFOR-i, reaguesi i tretë, po ashtu do të jetë i dukshëm në afërsi të qendrave të votimit, i gatshëm që të intervenojë menjëherë nëse ka nevojë”.

“Sikur edhe në raundet e kaluara, ky operacion është planifikuar në atë mënyrë që qytetarëve t’ua garantojë të drejtën për të votuar, si dhe që procesi i votimit të kryhet në mënyrë të qetë dhe të rregullt”.

“Bashkërendimi ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së vazhdon të jetë i shkëlqyeshëm”, thuhet në deklaratë.