Mirëmbajtja e kundërligjshme e objekteve të Komunës së Gjilanit

Institucionet publike në Kosovë vazhdojnë ta kenë vrimë të zezë prokurimin publik. Zyra e Auditorit Kombëtar po adreson shkelje të institucioneve që po i bëjnë kryesisht në prokurim.

Lajme

04/07/2020 11:27

Raporti i Auditmit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2019 ka evidentuar 17 shkelje për Komunën e Gjilanit.

Edhe në këtë komunë janë gjetur shkelje të Ligjit të Prokurimit, shkruan lajmi.net

Auditori ka gjetur se në një kontratë kishte tejkalim shumë të madh të sasive të kontraktuara gjë qe bije ndesh me ligjin.

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik RRUOP te neni 56.10 përcaktohet se nëse urdhër blerjet tejkalojnë sasinë totale indikativë ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë plus tridhjetë për qind, pa marrë parasysh datën origjinale të skadimit të Kontratës Publike Kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht. Mospërputhja e lejuar plus/minus tridhjetë për qind (30%) vlen edhe Lote dhe për pozicion/artikull, dhe në rast të arritjes së pragut të lejuar AK nuk mund të bëjë porosi tjera për atë Lot apo pozicion/artikull.

Auditori ka gjetur se për kontratën kornizë “Mirëmbajtja teknike e objekteve në të gjitha njësitë kërkuese në Komunën e Gjilanit”, në 12 pozicione ka tejkaluar sasinë totale indikative të kontratës kornizë. Në total për këto pozicione për tre vite maksimumi i pagesave do duhej të ishte 40,095 euro, ndërsa gjatë vitit 2019 janë paguar 191,136 euro, apo 151,041 euro më shumë.

“Tejkalimi për një pozicion ishte 13,430 njësi, ndërsa pozicionet e tjera kanë tejkalime më numër më të vogël të njësive”, shkruhet në raportin e auditorit për Komunën e Gjilanit.

Sipas zyrtarëve përgjegjës të Komunës, të cilët i kishin dhënë një përgjigje auditorit, kjo kishte ndodhur gjoja në mungesë të njohurive se tejkalimi i pozicioneve nuk bën të jetë më shumë se 30 për qind.

Sipas auditorit, vlerësimi jo adekuat i nevojave shpie në përsëritjen e procedurave tenderuese, duke shkaktuar shpenzime shtesë të paarsyeshme të parasë publike. Njëkohësisht tejkalimi i vlerave indikativë trevjeçare, në vitin e parë ndikon në rritjen e obligimeve të paplanifikuara.

Shpërblimi me kontratë pa i plotësuar kërkesat administrative të dosjes së tenderëve

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (RRUOPP) neni 41.1: Tenderët e pranuar me kohë të paraqitur nga kompanitë garuese do të ekzaminohen, vlerësohen, krahasohen në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë/dosjen e tenderit dhe kontrata do t′i jepet tenderuesit që ka renditjen më të lartë. Por, auditori ka gjetur se tek procedura e prokurimit “Vërbicë e Zhegovcit – Sllovi” në vlerë 1,346,909 euro kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, si dhe operatori ekonomik duhet të posedojë dy grejder minimum 12 ton. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit.

Po ashtu, tek procedura e prokurimit “Ndërtimi i rrugës së Kumanovës faza e II” në vlerë 2,388,853 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që kompanitë të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të kenë çekiç pneumatik, dhe një inxhinier apo bachelor të hidroteknikës me përvojë profesionale minimum 2 vite pas diplomimit në realizimin e projekteve të ngjashme dhe të caktohet me shkresë dhe të jetë nënshkruar nga inxhinieri dhe kompania. “Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit, dhe as dëshmi për kualifikimin dhe përvojën profesionale të inxhinierit të hidroteknikës”, thotë ZKA.

Ndërsa, tek procedura “Asfaltimi i rrugëve në Livoçin e Ulët” në vlerë 466,026 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të posedojë grejder minimum 12 ton, dhe të kenë çekiç pneumatik. Sipas ZKA, Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve dhe njohurive të kërkesave specifike të dosjes së tenderit nga komisionet e vlerësimit. Nuk na janë dhënë arsye për këto të gjetura nga ana e zyrtarëve komunal. Shpërblimi me kontratë i operatorëve ekonomik të cilët mund të mos i plotësojnë kërkesat dosjes së tenderit, mund të ndikojë që të njëjtit të mos mund t′I përfundojnë punët siç kërkohet pasi që nuk kanë arritur të dëshmojnë se posedojnë pajisjet e kërkuar sipas specifikave të dosjes së tenderëve”, ka shkruar ZKA lidhur me këta tender.

Pos kësaj të gjeture, auditorit ka gjetur 17 parregullsi tjera në Komunën e Gjilanit, disa nga to kanë të bëjnë edhe me prokurimin, subvencionet, dhënien e pronës komunale me qera etj./Lajmi.net/