“Mirë se vini, fitore s’keni”/ Skenderaj i përbetuar ndaj PDK-së, Vetëvendosje nuk ka vota në Drenicë

Skenderaj është qyteti kryesor për PDK-në sa i përket mbështetjes nga qytetarët, duke u konsideruar historikisht bastion i kësaj partie.

Lajme

11/02/2021 19:06

Një nga figurat kyçe të PDK-së nga Skenderaj, Ganimete Musliu nuk sheh mundësi që partia e saj të rrezikohet nga ndonjë subjekt tjetër politik në Skenderaj, raporton lajmi.net.

Musliu, votën e drenicasve për PDK-në e konsideron të sigurt edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit. Madje, sipas saj mungesa e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, të cilët po mbahen në Gjykatën e Hagës, nuk ndikon aspak që të ndryshojë vota në Skenderaj.

“Elektorati i Drenicës është pak a shumë si këto formacionet spartake. Ata në momentin kur mungon lideri nuk bien, nuk dorëzohen dhe gjejnë mënyrë për triumf. Në të njëjtën mënyrë është duke shkuar populli i Drenicës. Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi janë në shpirtin e drenicasëve. Prandaj, nuk mungojnë në asnjë takim tonin, prandaj nuk mungojnë as në këto zgjedhje. Ne lutemi dhe urojmë që të kthehen sa më shpejt në mesin tonë sepse e dimë të gjithë që janë padrejtësisht duke u mbajtur në Hagë. Por, mungesën e tyre drenicasit janë duke e kthyer në fitore”, ka thënë ajo për lajmi.net


Mirëpo, në anën tjetër ashtu si edhe në çdo qytet tjetër, partitë politike synojnë që të bindin edhe qytetarët e Skenderajt për vota. Për këtë përpjekje Musliu është e bindur për përgjigjen që do të marrin.

“Mesazhi i shqiponjave të zeza të Skenderajt në futboll ka qenë ‘ Mirë se vini, fitore s’keni’ dhe në Skenderaj e përdorim të njëjtën moto për fushatë elektorale. Janë të mirëseardhura të gjitha partitë politike të bëjnë fushatë në Skenderaj, por fitorja dihet që është e PDK-së”, ka thënë ajo.

Se Skendraj do të vazhdojë të jetë bastion e PDK-së mendon edhe Arton Demhasaj nga “Çohu”. Pavërësisht kësaj, ai thotë se përqindja e kësaj partie mund të bie në këtë qytet, por prapë do të vazhojë të dominojë.

“E dimë që në disa zgjedhje që janë mabjtë ka pas tendenca të disa partive të tjera me arritë me shtri elektorat atje, por ka qenë shumë e vështirë as 3 – 4% me marrë në atë komunë. Ajo komunë, akoma mbetet e blinduar ana e PDK-së, kjo lidhshmëri me UÇK-në. Tash, për shaka që në listën e PDK-së kemi shumë pak figura të UÇK-së, sidomos në dhjetëshen e parë, ekziston një rrezik që të zbutet ajo përqindja që PDK-ja merr në Skenderaj. Por, prapë mendoj që do të mbetet bastion i PDK-së”, është shprehur ai. /Lajmi.net/ 

YouTube player