Miratohet projektligji për Trepçën: Qeveria dhe punëtorët aksionarë, kundërshtojnë ministrat serb

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Ligjin për Trepçën, ku parashihet që 80 për qind e aksioneve t’i takojnë Ekzekutivit, ndërkaq 20 për qind punëtorëve. Projektligji është miratuar me 3 vota kundër të anëtarëve të Qeverisë nga komuniteti serb, dy ministra dhe një zëvendëskryeministër

Lajme

05/10/2016 11:55

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se projektligji mund të jetë sjellë në mënyrë të ngutshme në Qeveri dhe Kuvend, për shkak të disa ankesave. Sipas Mustafës, Trepça do të ketë sërish dy njësi organizative.

Ministri Blerand Stavileci ka deklaruar se ky projektligj ka për qëllim revitalizimin e gjigantit metalurgjik, raporton lajmi.net

Stavileci bëri të ditur se sipas dispozitave ligjore, aksionar do të jetë Qeveria me 80 për qind, ndërkaq punëtorët me 20 për qind.

Stavileci tha se gjashtë muaj pas aprovimit të ligjit, Qeveria dhe Bordi i Trepçës, që pritet të jetë shoqëri aksionare, ta dërgojnë në Kuvend strategjinë për zhvillimin e saj.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq ka thënë se ka shumë paqartësi me këtë Ligj, pasi sipas tij, ka disa pika kundërthënëse.
Dhe duke folur për strukturën ai thotë se në Trepçë punojnë 3 mijë serb, në veri.

Mariq pyet nëse do të thyhen ligjet ndërkombëtare meqë qeveria tenton të bëhet aksionare me 80%, duke shtuar se duhet studimi i fizibilitetit.

“Nuk besoj që kemi bërë punë të mira me këtë ligj. Duhet fizibilitet. Bashkësia serbe po përjashtohet nga zhvillimi i Trepçës me këtë ligj si është tani”, tha ai.

E zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi ka thënë se Trepça tash po bëhet shoqëri aksionare, ligji është adekuat dhe do përfitojnë edhe punëtorët.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri tjetër, Branimir Stojanoviq, është shprehur kundër këtij Ligji pasi sipas tij, është dashur të bëhet plan më i mirë.

Ai thotë se s’kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit dhe se ky ligj ka rezultat politik.

Tha se ka frikë për serbët në veri dhe vendet e tyre të punës.

Stojanoviq tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre do e kundërshtojnë edhe në Kuvend. /lajmi.net