Ministrja britanike e Punëve të Brendshme, vendim ekstrem për shqiptarin

13:28 | 23 Shtator 2019

Priti Patel, ministre e Punëve të Brendshme në Angli ka marrë një vendim ekstrem ndaj një shqiptari të kërkuar nga drejtësia italiane për vrasje dhe trafik femrash për prostitucion.

Albert Visha, për të bllokuar ekstradimin nga Anglia në Itali kërkoi azil. Për herë të parë përmes një veprimi të paprecendentë kërkesa për azil e Albert Vishës, u refuzua me firmën e ministres Priti Patel.

Siç shihet edhe nga kjo faksimile që publikon Top Channel, ky vendim ka tërhequr vëmendjen e gazetës Daily Mail.

“Ky veprim i ministres së Punëve të Brendshme vjen në një kohë kur pakënaqësia e publikut është rritur pasi kriminelët e huaj tallen me drejtësinë britanike” shkruan Glen Owen, zëvendëseditor i çështjeve politike në Daily Mail.

Albert Visha mbërriti në Angli për t’iu fshehur drejtësisë italiane, e cila kishte lëshuar urdhër arrest ndaj tij si i akuzuar për vrasjen e bashkëkombësit  Selim Leka në 2014-tën.

Me kërkesë të autoriteteve italiane, Visha do të arrestohej në nga policia britanike vitin e shkuar. Ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale si dhe shfrytëzim prostitucioni përfshi vrasje.

Albert Visha pasi dështoi me sukses të bllokonte ekstradimin përmes apelimeve në gjykatë kur e pa se ishte i pashpresë, në Mars 2019 aplikoi për azil në Angli duke thëtë se nëse kthehej në Itali do të persekutohej.

Por ministria e Punëve të Brendshme Priti Patel duke përdorur seksionin 40 të ligjit të ekstradimit, i pa përdorur më parë, refuzoi kërkesën për azil të shqiptarit Albert Visha.

Një në 10 të burgosur të huaj në Angli është shqiptarë. Deri në fund të muajit Gusht janë 876 shqiptarë në burgjet angleze.

Pyetur nga “Daily Mail” për këtë rast, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme britanike Home Office tha:

“Kriminelët kanë luajtur me sistemin e drejtësisë për një kohë të gjatë”.