Ministrit gjerman i kërkohet dorëheqja pas vetëvrasjes së afganit të dëbuar

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, i njohur për retorikën e tij kundër migrantëve është nën presion për të dhënë dorëheqje, pas vetëvrasjes së një afgani, i cili është dëbuar nga Gjermania.

Bota

12/07/2018 12:54

Partitë opozitare në Gjermani i kanë bërë thirrje Seehofer të japë dorëheqje një ditë pasi autoritetet afgane kanë thënë se migranti 23 vjeçar ka vrarë veten në Kabul më 10 korrik.

Vdekja e tij ka ardhur pasi Gjermania ka kthyer 69 azilkërkues në Afganistan më 4 korrik.

Migranti është detyruar të kthehet prapë në Afganistan pasi kishte kaluar tetë vjet në Gjermani, sipas zyrtarëve afganë për migrim.

Seehofer, politikan me qasje kundër migrantëve, ka mirëpritur dëbimet e azilkërkuesve, duke thënë se 69 afganë janë larguar në ditëlindjen e tij të 69-të.

“Saktësisht 69 persona janë dërguar në Afganistan në ditëlindje time të 69-të, nuk ka qenë urdhri im”, ka thënë Seehofer duke buzëqeshur më 10 korrik.

Më 11 korrik, politikani gjerman ka thënë se vdekja e afganit, “është për keqardhje dhe se ne duhet ta trajtojmë atë rast me respekt”.