Ministria për veteranët, e panevojshme

Kryetari i Komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku, javën e kaluar ka propozuar që të krijohet një ministri e veçantë, Ministrinë e Veteranëve apo Ministrinë për Ruajtjen e Vlerave të Luftës, e cila do të merrej me kategoritë e dala nga lufta. Por, njohësi i çështjeve ushtarake dhe politikani, Naim Maloku, është shprehur kundër krijimit të ministrisë për vlerat e UÇK-së.

Lajme

20/04/2015 07:51

Maloku ka thënë për të përditshmën “Epoka e Re” se një ministri e tillë nuk do t’i sjellë Kosovës asnjë përfitim.

“Disa shtete kanë atë ministri, mirëpo mendoj se Kosova ka aq shumë ministri saqë nuk do të kishte nevojë tash të ketë shpenzime qeveritare nga buxheti për të themeluar një ministri për veteranët. Një ministri e tillë nuk ka kurrfarë dobie të veçantë. Mendoj se është propozim i gabuar dhe i ekzagjeruar. Një ministri për veteranët nuk do t’i sillte ndonjë përfitim apo përparësi Kosovës si dhe nuk do të mund të rregullonte ndonjë gjë”, ka thënë Maloku.

Maloku mendon se Çeku ka bërë një propozim të tillë, vetëm për të mbuluar dështimet me listat e veteranëve.

“Çeku e bëri këtë propozim të tillë dhe nuk pati ndonjë arsyetim shumë bindës për të. Mendoj se dështimi me listat e veteranëve dhe meqë i ka qenë kryetar i komisionit për verifikim, e ka shtyrë për të mbuluar atë dështim dhe të dalë me një propozim për të themeluar atë ministri”, ka thënë më tej Maloku.

Ndërkaq, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tash deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se një ministri për vlerat e luftës do të ishte e mirëseardhur, por, sipas tij, propozimi i Çekut  nuk ka të bëjë me shqetësimin për veteranët por për blerje të kohës.

“Do të ishte e mirëseardhur një ministri për veteranët ose diçka e ngjashme nëse qeveria do ta kishin bërë të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore për  një gjë të tillë. Ata do të duhej fillimisht ta trajtonin këtë kategori, e jo ta shfrytëzonin. Mendoj se propozimi i tij më shumë ishte për blerje të kohës sesa që ishte ndonjë shqetësim i vërtetë për veteranët”, ka thënë Selimi për “Epoka e Re”.