Ministria nuk e miraton rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit pa dëshmi shtesë

“Ka gatishmëri të madhe për këtë nga Shqipëria dhe nga Kosova”, ka thënë stërnipi i heroit kombëtar, Gazmend Boletini, në lidhje me ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletinit.

Lajme

13/05/2014 09:45

Por derisa familja Boletini ka caktuar 30 qershorin për rivarrim, Ministria e Kulturës –institucioni i cili ka menaxhuar çështjen e analizave për autenticitetin e eshtrave – nuk e ka të sigurt organizimin e ceremonisë dhe pjesëmarrjen. Për këtë ajo ka një kusht.

Zyrtraët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit  nuk e kanë përmendur ceremoninë dhe afatin e rivarrimit, madje ky institucion nuk është i i sigurt nëse do të jetë pjesë e ceremonisë.

Përderisa familja çështjen e autenticitetit të eshtrave të Boletinit e merr si punë të kryer dhe pret disa analiza shtesë, MKRS-ja vazhdon ta marrë me rezervë raportin e “Institut de medicine legale” i Strasburgut që mban datën 5 nëntor të vitit 2012.

Institucioni më i lartë kulturor në vend i kishte kontestuar rezultatet e raportit edhe në muajin shkurt. Në një takim që është mbajtur në muajin shkurt. Në një takim që është mbajtur në muajin mars midis ministrit të Kulturës Memli Krasniqi, kreut të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, familjarëve të Isa Boletinit dhe drejtorit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, palët kanë rënë dakord që të bëhen edhe analizat antropologo-arkeologjike.

“Doktori (Arsim Gërxhaliu) pati thënë që diku nga mesi i prillit do t’i përfundonte këto analiza me ndihëm e EULEX-it”, ka thënë Gazmend Boletini. Por vonesën e Gërxhaliut ai e arsyeton.

“I kanë dalë shumë punë në Rashkë të Serbisë në varrezën masive. Por na ka premtuar se gjatë kësaj fundjave do të punojë me shumë intensitet për analiza” ka shtuar Boletini.