Ministria e Liburn Aliut publikon tenderin e ri për mirëmbajtje të rrugëve, bënë përsëri shkelje

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPHI e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu ka shpallur njoftimin e ri për tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024”.

Lajme

06/05/2021 17:52

Pasi u anulua ai parapraku që ishte hapur në kohën e ministrit Arban Abrashi,  MMPHI ka bërë njoftim për ri-tender të mirëmbajtjes së rrugëve në verë dhe gjatë dimërit, shkruan lajmi.net.

Dokumenti i publikuar nga ministria shihet që ka pësuar disa ndryshime kundruall njoftimit paraprak, por përsëri ka disa kërkesa të vendosura që janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Në këtë rast janë favorizues për një kompani ose diskriminuese për një tjetër.

Tenderi i anuluar peshonte 44 milionë euro dhe ishte kornizë për tri vite. Tash, ministria ka vendosur që kontratat të jenë vetëm një vjeçare në  vlerë totale prej 11 669 471,34 eurove.

Sipas këtij publikimi mëtohen të lidhën 14 kontrata, dy për lot 1 dhe lot 2  për regjionin e Ferizajt, dy për regjionin e Gjilanit, dy për Prishtinën, dy për Pejën, dy për Gjakovën, dy për Mitrovicën, dy për Prizrenin.

Derisa kërkesa e mëhershme ishte planifikuar të jetë me njësi, tash është kërkuar të jetë me sasi të planifikuar.

Në këtë tender, vendosja e kritereve për makinerinë është e kundërligjshme. Konkretisht tek dokumenti që ka të bëjë me “Pajisjet dhe mekanizmi i obligueshëm për një lot”, tek pjesa nr 6 është kërkuar një cilindër 12 ton, vibrues, tek pjesa nr 7 është kërkuar një cilindër 12 ton me dhëmbëza, vibrues. Tek nr 12, janë kërkuar 2 cilindra me rrota hekuri me vibrim 12 ton, tek pjesa nr 13 është kërkuar një cilindër me rrota hekuri me vibrim 3 ton.

Sipas Ligjit te Prokurimit Publik në këtë rast nuk duhet të ketë tonë fiks për një makineri, si në këtë rast që është kërkuar 12 tonë, por duhet të shkohet në minimum dhe maksimum të tonelatës së kërkuar, p.sh 12-16t, apo 10-14 t.

Ndryshime në njoftimin e ri siç ka parë lajmi.net janë bërë edhe tek kërkesat “kapacitete ekonomike dhe financiare”. Në të kaluarin është kërkuar që: “Operatori Ekonomik ose grupi i Operatoreve, duhet te ofroj dëshmi se qarkullimi gjate 3 viteve te fundit 2018,2019,2020, duhet te jete jo më i vogël se 4,000,000.00 euro”. Ky kriter në dosjen e re është zbutur, ku kompanive u është kërkuar te ofrojnë dëshmi se qarkullimi gjate 3 viteve te fundit 2018, 2019, 2020 jo më e vogël se 1,300,000.00 euro.

Po ashtu, ishte kërkuar qe kompania  duhet të ketë të paktën 500 mijë euro asete likuide financiare (për shembull në llogarinë bankare) ose të paktën 500 mijë euro qasje për kredi në dispozicion. Kjo shumë është zbritur në 200 mijë euro.

Ditë më parë, Hysen Durmishi, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPHI në një konferencë për media ka njoftuar se ishte anuluar procedura e prokurimit për projektin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024”.

Megjithëkëtë, ky vendim i marrë nga krerët e ministrisë ka qenë i kundërligjshëm.

Kjo ngase, paraprakisht ka pasur një ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP që ka të bëjë me këtë procedurë, e cila nuk ishte shqyrtuar nga Bordi i OSHP-së. Kjo e obligonte ministrinë që të mos ndërmarrë asnjë hap për këtë aktivitet të prokurimit, derisa bordi të nxjerrë një vendim mbi ankesën e pranuar.

Katër ditë para se të marrë detyrën ministri Aliu, më datë 19.03.2021, kompania, “Jos&Krasniqi” -Bazë” Shpk kishte parashtruar ankesë në OSHP, nën pretendimin se ministria kishte vendosur kritere diskriminuese në dosjen e tenderit. Pas kësaj, menjëherë në OSHP ishte ankuar edhe Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqej ato ditë nga Arban Abrashi, duke kërkuar që t’i hiqet obligimi i pezullimit automatik, lidhur më këtë aktivitet të prokurimit në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e tenderimit, pasi ishte interesi publik që të vazhdohet me procedurat që rrugët të mos mbesin pa mirëmbajtje. Por, Bordi i OSHP-së më 25 mars 2021 ia hodhi poshtë këtë kërkesë ministrisë dhe e la në fuqi vendimin e vet, që të shqyrtojë pretendimet ankimore të kompanisë ankuese. Bordi e mori këtë vendim 5 ditë para se t’i skadojë mandati. Ky vendim e obligonte ministrinë vetëm të bënte pezullimin e aktivitetit të prokurimit derisa të shqyrtohej ankesa.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konfirmuar për lajmi.net se ka një ankesë aktive të pashqyrtuar në këtë institucion që ka të bëjë me lëndën “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2021 -2024”.

“Ju njoftojmë se OSHP ka pranuar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit në fjalë dhe e njëjta ankesë  është proceduar për shqyrtim tek eksperti shqyrtues. Në  mungese te Bordit te OSHP-se ende nuk është marr vendimi lidhur me ankesën e proceduar ne OSHP”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për lajmi.net.

Zëvendësministri Durmishi në konferencën për media e kishte arsyetuar anulimin e aktivitetit të prokurimit.

“Vlera e parashikuar e këtij projekti është 44 milion euro. Janë dy arsye pse ne e kemi anuluar këtë procedurë në këtë fazë. E para ka të bëjë me atë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë tri vjeçare dhe nuk mund t’a ndryshojmë më pasi të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime edhe në pozicione të paramasës e po ashtu edhe në kriteret teknike. Në vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë së ndërtimit të rrugëve prandaj ky zhvillim duhet të jetë present edhe në rrugët tona. Kjo është arsyeja e parë që ne do të intervenojmë në pozicionet e paramasës në mënyrë që edhe mirëmbajtja të jetë shumë më cilësore në vitet në vazhdim ashtu siç do të jetë shumë më cilësor secili investim në të ardhmen. Pra ne jemi të interesuar që rrugët tona të jenë më të sigurta duke përdorur teknologjinë më të avansuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, ka thënë Durmishi.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet ti ndryshojmë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurencë më të madhe në mes kompanive. Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshoj përfundimisht!”, ka shtuar tutje ai.

Me datë 11 shkurt 2021, ministria që udhëhiqej nga Arban Abrashi kishte bërë njoftim për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit. /Mentor Buzhala –Lajmi.net/