Ministria e Jashtme ruse konfirmon vrasjen e Ambasadorit Karlov

Ministria e jashtme ruse e ka konfirmuar se ambasadori i Rusisë në kryeqytetin turk është vrarë gjatë një sulmi që u bë sonte në një galeri arti në Ankara.

Bota

19/12/2016 19:01

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova e ka konfirmuar se ambasadori Andrei Kralov ka vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara me armë zjarri.

“Sot në Ankara, si rezultat i një sulmi, ambasadori i Federatës ruse në Turqi, Andrei Gennadyevich Karlov, ka marrë një plag prej të cilës ka vdekur”, ka thënë Zakharova, përcjell REL.

Mediat turke më herët kanë raportuar se ambasadori i Rusisë në Turqi, Andrei Karlov është “plagosur rëndë” si pasojë e një sulmi me armë zjarri.

Faqja e internetit e gazetës, Hurriyet versioni në anglisht, ka thënë se ambasadori, Karlov është plagosur derisa mbante fjalim në një galeri arti në Ankara.

Agjencia turke e lajmeve, Anadolu raporton se personi i armatosur në këtë sulm është “neutralizuar” pa dhënë ndonjë detaj tjetër.

Një fotograf i Associated Press që ka qenë në audiencë në vendin e ngjarjes ka thënë se sulmuesi i dyshuar kishte veshur kostum ndërsa ka thirrur “Allahu Akbar” derisa ka shtënë tetë herë.

NTV raporton se edhe tre persona të tjerë janë plagosur.

Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është informuar për sulmin. Ndërsa në Uashington, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja e dënon sulmin.

Sulmi është dënuar edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.