Ministria e Infrastrukturës tregon se cilat janë problemet që ngadalësuan punimet e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Një nga projektet më madhore sa i përket transportit rrugor padyshim se ishte llogaritur të jetë edhe autostrada që lidh Kosovën me Luginën, saktësisht autostrada Prishtinë-Gjilan deri tek Dheu i Bardhë.

Lajme

06/12/2021 20:18

Pavarësisht se vitet po ecin e tashmë kanë kaluar tri vite nga nisja e ndërtimit të kësaj autostrade, punët janë tejet të ngadalshme, për të mos thënë të ngecura krejtësisht.

Përpos punëve që nuk vërehen thuajse fare, çështja ka ngecur edhe tek shpronësimet që shpesh herë nuk pranohen të bëhen.

Duke punuar në kuadër të kësaj autostrade janë banorët e fshatit Gllamë që kanë pësuar, të cilave iu është prishur e gjithë rruga lidhëse nga rruga kryesore në drejtim të Gjilanit, e që lidh fshatin me të.

Lidhur me gjithë këtë procedurë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës të cilët kanë theksuar se sa i përket punimeve në ‘Lot 1’, janë përfunduar dy shtresa të asfaltit në trasenë kryesore.

“Pjesa e nyjës katërfletëshe ka pas ndalesë në pjesën (jug-lindje) nga ana e Inspektoratit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, ky problem është zgjidhur dhe është duke u bërë gërmimi për gjetjen e eksponentëve të vjetër”, u tha në përgjigjen e MI-së.

Kurse sa i përket lotit 2, nga Ministria e Infrastrukturës është bërë e ditur se punimet janë ndërprerë shkaku i kërkesave të komunitetit për ndërtim të një nënkalimi.

“Por edhe në këtë lot janë qitë dy shtresa të asfaltit”, u tha tutje në përgjigje.

Sipas MI-së probleme janë shfaqur në punimet në kudër të ‘Lot 8’, ku problemet saktësisht kanë të bëjnë me shpronësimin e pronave.

“Kemi probleme rreth shpronësimit të pronave dhe shtëpive dhe pronarët pengojnë në realizimin e projektit (sipas banorëve s’është kryer pagesa), por që këto ditë pritet asfaltimi i shtresës së parë të bitozhavorit BZH 32, në trasenë kryesore”.

Ndërsa sa i përket çështjes së rrugës për në Gllamë, sipas ministrisë përkatëse kjo rrugë është në ndërtim e sipër dhe pritet që brenda 10 ditëve të bëhet asfaltimi i shtresës së parë të asfaltit varësisht nga kushtet atmosferike, pra nga rruga nacional N25, deri te mbikalimi në profilin PD 23.

“Po ashtu edhe në këtë rrugë një kohë të gjatë problem ka qenë moslejimi i ndërtimit të anashkalimit të rrugës për ndërtim të mbikalimit, si dhe dislokimi i rrjetit të Postë Telekomit”, thuhet nga Ministria e Infrastrukturës.

Sipas planeve dinamike të 8 kontratave të nënshkruara për ”Ndërtimin e Autoudhës : Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, Segmenti: Banullë – Bresalc l=22.31 km”, ky projekt ishte paraparë të përfundohet në gusht 2020. Sipas menaxhereve të projekteve ndër shkaqet kryesore për këto vonesa ishin gabimet në projektin realizues nga projektuesi i kontraktuar, problemet me shpronësimet (shkak i mungesës së mjeteve për shpronësim, por edhe mosmarrëveshjet me komunitetet), pasuritë arkeologjike, mungesa e mjeteve të buxhetuara nga ministria e po ashtu edhe ndalimi i punimeve në nivel kombëtar si pasojë e pandemisë Covid 19. Për periudhën 2018- 2020, pagesa të realizuara për këto kontrata ishin në vlerë 51,123,368 euro.

Kjo autostradë do të ketë tri kyçje, duke filluar me atë të Banullës, pastaj me atë të Zhegovcit si dhe të fundit në Bresalc.

Ndryshe, ditë më parë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përuruar nisjen e punimeve për autostradën Nish-Dheu i Bardhë, e që sipas tij do të ndihmojë në afrimin e dy vendeve.

Autostrada Prishtinë-Gjilan deri tek Dheu i Bardhë ishte parë si një mundësi shumë e mirë që të afrojë shqiptarët e Luginës me Kosovën, për një kohë shumë më të shkurtër./Lajmi.net/