Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se po realizon mbikëqyrje intensive të tregut të derivateve të naftës për të siguruar zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila më 4 mars 2026.
Qëllimi është mbrojtja e konsumatorit, rritja e transparencës, mbrojtja e konkurrencës së ndershme dhe parandalimi i çrregullimeve në treg. Bashkë me Administratën Tatimore të Kosovës, Inspektorati po analizon të dhënat e importit dhe çmimet e ekspozuara në pikat e shitjes me pakicë.
Sipas evidencave të Doganës së Kosovës, çmimet mesatare të importit më 11 mars 2026 ishin:
Naftë (Dizel): 1.40 €/litër
Benzinë: 1.22 €/litër
Ndërkohë, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor janë:
Naftë (Dizel): 1.44 – 1.54 €/litër
Benzinë: 1.18 – 1.31 €/litër
Sipas vendimit të ministrisë, marzha tregtare maksimale e lejuar është:
2 eurocentë për litër në shitje me shumicë
12 eurocentë për litër në shitje me pakicë
Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut, duke bashkëpunuar me Doganën, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës, dhe do të ndërmarrë masa rigoroze ndaj çdo shkeljeje të vendimit ose praktikave që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët.
Publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me tregun e derivateve të naftës. /Lajmi.net/