Ministria e Drejtësisë tregon se kur themelohet Instituti për krime lufte
Janë bërë më shumë se një vit prej kur është formalizuar Grupi Punues për hartimin e koncept-dokumentit për krijimin e Institutit për krime gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ende një përpjekje e tillë nuk është finalizuar. Cilët janë hapat e radhës dhe kur pritet të finalizohet ky institut?.Më 13 maj të vitit të kaluar, ministrja…

Lajme
Janë bërë më shumë se një vit prej kur është formalizuar Grupi Punues për hartimin e koncept-dokumentit për krijimin e Institutit për krime gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ende një përpjekje e tillë nuk është finalizuar.
Cilët janë hapat e radhës dhe kur pritet të finalizohet ky institut?.Më 13 maj të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është formuar Grupi Punues për formimin e institutit të ri për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Tashmë projektligji që do e themelojë këtë mekanizëm, është finalizuar.
Në një përgjigje për Express, Ministria e Drejtësisë, ka treguar se deri ku kanë shkuar punimet për këtë projektligj.Në përgjigje thuhet se projektligjin për themelimin e këtij instituti, MD e ka dërguar për miratim në Zyrën e Kryeministrit.
Poashtu, Ministria e Drejtësisë thotë se “shumë shpejt” ky projektligj do të vendoset si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa “shpresojnë se menjëherë pas miratimit në Qeveri, Projektligji për Institutin të procedohet për votim në Kuvend”.
Sipas Ministrisë, Instituti pritet të funksionalizohet në fillim të vitit të ardhshëm.
“Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Ministria e Drejtësisë ka finalizuar Projektligjin i cili do e themeloj këtë mekanizëm. Projektligj është dërguar në Zyrën e Kryeministrit për miratim. Projektligji në fjalë do të vendoset shumë shpejtë si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë. Ne shpresojmë se menjëherë pas miratimit në Qeveri, Projektligji për Institutin të procedohet për votim në Kuvend, dhe Instituti të funksionalizohet në fillimit të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu.Sa i përket kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vitin e kaluar tha se ky institut do ta ketë linjën e vet buxhetore, derisa tha se “nuk e kanë luksin të gabojnë kësaj radhe”.“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hedhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën e tyre të vazhdojmë tutje. Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, tha Kurti në qershor të vitit 2021.
Kur ministrja Haxhiu vitin e kaluar kumtoi lajmin se është finalizuar grupi punues për hartimine koncept-dokumentit për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, organizatave dhe të tjerëve t’i dërgojnë hulumtimet, dokumentet dhe dëshmitë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, organizatat dhe të tjerët të cilët posedojnë dokumente, dëshmi të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, hulumtime të cilat i kanë kryer dhe i konsiderojnë relevante të na i dërgojnë ato në këtë email adresë: [email protected]”, ka shkruar ajo një vit më parë.
Një përpjekje për dokumentimin e luftës së fundit në Kosovë ishte bërë edhe në vitin 2011. Qeveria e atëhershme kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacionet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Mirëpo, në vitin 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj kishte vendosur që ky institut të shuhet.Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13 mijë e 500 persona, derisa 76 për qind e tyre besohet se kanë qenë civilë. Ndërkaq, edhe më tej është duke u hulumuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.