Ministri Tahiri: Tani e tutje janë në fuqi masat e ashpra kundër korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar qytetarët për masat e reja dhe ka ftuar ata që të respektojnë ligjin dhe normat sociale mbi të cilat funksionon shoqëria jonë.

Lajme

15/04/2019 10:54

Që nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi Kodi i ri Penal. Me këtë rast, përmes një deklarate, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar qytetarët për masat e reja dhe ka ftuar ata që të respektojnë ligjin dhe normat sociale mbi të cilat funksionon shoqëria jonë, transmeton lajmi.net.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Të nderuar qytetarë,

Rendi demokratik dhe funksionimi i mirëfilltë i tij përcaktohet nga cilësia e ligjeve dhe zbatimi efikas i tyre. Kjo është doktrina për të cilën kemi punuar në Kodin e ri Penal, i cili nga dita e djeshme është në fuqi.

Me këtë rast, si Ministër i Drejtësisë që pjesën vitale të punës time e kam orientuar në politikat e reja penale që po materializohen, ju ftoj që të informoheni, të tregoni respekt për rendin dhe ligjin dhe t’i përmbaheni normave sociale e ligjore për të cilat jemi përcaktuar si shoqëri demokratike, progresive dhe e vendosur për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë të së drejtës.

Tani e tutje fillon një epokë e re në drejtësinë që zbatohet në Republikën tonë, në të cilën qytetarët do të jenë më të mbrojtur nga ligji ndërsa kryerësit e veprave penale do të kenë përgjigje meritore për dëmin që i shkaktojnë rendit tonë shoqëror në të gjitha dimensionet e tij.

Abuzuesit me paratë e taksapaguesve tanë, të korruptuarit dhe ata që merren me krimin e organizuar, do të përballën me sanksione të ashpra që s’i kanë hasur asnjëherë më parë dhe nga të cilat s’do mund të shpëtojnë dot.

Ata që ushtrojnë dhunë në familje dhe që abuzojnë me integritetin dhe dinjitetin e qenies njerëzore, do të jenë subjekt i ndëshkimit ligjor dhe s’do lejohen më kurrë që të cenojnë vlerat tona si shoqëri që ka respekt për jetën, integritetin dhe dinjitetin e njeriut.

Terrorizmi, financimi i tij dhe nxitja në të, do të ballafaqohen me vendosmërinë e pa kompromis për ta luftuar deri në çrrënjosje çdo tentativë të logjikës së mos durimit.

Të gjithë ata që cenojnë normat nga ato që i atribuohen dëmit kolektiv e deri të ngasja e veturave në shpërputhje me normat ligjore, nuk do të mund t’i shmangen ballafaqimit me drejtësinë.

Shteti është neutral ndaj qytetarëve por është i vendosur ndaj drejtësisë. Kodi i ri Penal, është baza jonë me të cilën Republikës dhe shoqërisë tonë ia kemi garantuar të drejtat që iu takojnë dhe kushdo që i cenon ato, do të jetë subjekt i ndëshkimit të pa kompromis. /Lajmi.net/