Ministri Murati viziton bashkatdhetarët në Kopër të Sllovenisë

Në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Sllovenisë, pas takimeve me ministrin slloven për Diasporën, kryetarin e komunës së Lubjanës dhe përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në këtë shtet, ministri i Diasporës, Valon Murati takoi edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kopër, njoftoi MD.

Lajme

27/09/2015 16:04

Vizita në këtë komunë u bë me rastin e përkujtimit të familjes së njohur fisnike shqiptare Bruti, e cila ishte me prejardhje nga Durrësi e që në Kopër u vendos në fund të shekullit 16. Në këtë ngjarje prezent ishte edhe kryetari i Koprit, Boris Popoviq, si dhe bashkatdhetarë nga shtete tjera si Kroacia e Italia.

Murati në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Shoqatën Kulturore Shqiptare “Iliria” për punën e bërë me komunitetin e kësaj zone, në përgjithësi, dhe organizimin e kësaj ngjarjeje në veçanti. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij për institucionet e ndryshme të Koprit lidhur me përkrahjen e komunitetit shqiptar të kësaj zone duke theksuar se “shembulli më i mirë i marrëdhënieve të hershme të mira midis sllovenëve dhe shqiptarëve është vetë historia e familjes Bruti”. Murati më pas vizitoi edhe ekspozitën e artistit të njohur shqiptar Gani Llaloshi.

M inistri i Diasporës u prit edhe në një takim të veçantë nga kryetari i Koprit, Boris Popoviq, nga i cili kërkoi vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të përkrahjes për bashkatdhetarët tanë që janë qytetarë të komunës së udhëhequr nga ai. Nga ana tjetër, Popoviq e falënderoi Ministrin Murati për vizitën e tij dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë për t’ju përgjigjur nevojave të komunitetit shqiptar në Kopër.

Gjatë vizitave Ministri Murati ishte i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni Nexhmi Rexhepi, thuhet në njoftimin e MD-së./KP