Ministri Murati jep detaje për punën e parë të garantuar nga shteti për çdo të ri të moshës 18-24 vjeç

11:29 | 11 Tetor 2021

Ministri i Financave, Hekuran Murati është deklaruar lidhur me punësimin e garantuar për të rinjtë.

Ai tha se kjo skemë tashmë është duke u jetësuar dhe se aktualisht janë në zhvillim të platformës përmes së cilës do të mundësohet automatizimi i tërë procesit, transmeton lajmi.net.

Ministri Murati theksoi se është siguruar edhe mbështetje për financim të skemës nga donatorë të tjerë, ndërsa pritet që muajt e ardhshëm të ketë mbështetje në rritje.

Ai tha gjithashtu se pilotimi me sektorin publik do ta bëjnë me ATK-në, ku së shpejti do ta angazhohen 100 të rinj për të mbështetur ATK-në në fushatën e formalizimit.

Postimi i plotë:

Skema e punësimit të garantuar për të rinjtë po jetësohet
Aktualisht jemi në zhvillim të platformës përmes së cilës do të mundësohet automatizimi i tërë procesit. Zhvillimi i platformës po bëhet nga kompani vendore, dhe me mbështetje financiare të Helvetas zvicerane.
Po ashtu, kemi siguruar mbështetje edhe për financim të skemës nga donatorë tjerë, dhe presim që muajve në vijim mbështetja të rritet.
Pilotimin me sektorin publik do ta bëjmë me ATK-në, ku së shpejti do të angazhojmë 100 të rinj për të mbështetur ATK-në në fushatën e formalizimit.
Ndërsa pilotimin me sektorin privat do ta nisim me sektorin e IT-së, që do të fillojë sapo të funksionalizohet platforma.
Secila e re dhe secili i ri që hyn në tregun e punës, do ta ketë punën e parë të garantuar nga shteti.
Edhe një premtim drejt realizimit!./Lajmi.net/