Ministri Krasniqi: Në dy vitet e fundit prodhimi vendor është rritur për 26%
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë 42 milionë euro buxhet për këtë vit. Ku 20 milionë prej tyre do të jenë për grande të programit për zhvillimin rural, ndërsa, për programin për pagesa direkte është planifikuar që të ndahen 23 milionë euro.
Lajme
Po ashtu, qëllimi i kësaj ministrie është që të hapen mijëra vende të punës nga këto investime.
Në dallim nga viti i kaluar, ky buxhet është dyfishuar, për shkak se vetëm për pjesën e grandeve vitin e kaluar kanë qenë 11 milionë euro, ndërsa, te pagesat direkte kanë qenë vetëm 19 milionë euro.
Kështu është thënë në prezantimin e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015 dhe Programit për Pagesat Direkte 2015 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministri Memli Krasniqi, tha se vetëm në dy vitet e fundit falë edhe investimeve shtetërore, prodhimi vendor është rritur për rreth 26 %.
Ai po ashtu tha se bujqësia po bëhet prioritet i vërtet nacional, për shkak të rëndësisë që e ka shtimi i prodhimit vendor, rritja e vendeve të punës dhe zhvillimi ekonomik përmes bujqësisë.
Ai shprehet optimist që prodhimi vendor do të rritet edhe më shumë, kështu, sipas tij, duke u bërë konkurrent në rajon dhe me gjerë me produktet bujqësore vendore. Ai tha se një gjë e tillë do të arrihet me investimet më të mëdha gjatë viteve të ardhshme.
“Gjatë këtij mandati, bazuar edhe në programin qeveritar ne do të kemi orientime të reja duke u fokusuar në çështje të reja, në fusha të reja përfshirë edhe subvencionimin e kamatave për fermerët. Do të investojmë në sigurinë ushqimore duke e reformuar edhe më shumë sistemin e kontrollit, por, edhe duke e bërë një reformim institucional shumë shpejt do të kemi edhe agjencionin e ushqimit dhe të veterinës që do të jetë pjesë e ministrisë së Bujqësisë. Do të hartojmë pjesë të programit për mbrojtje të produkteve nga ndryshimet e papritura klimatike. Mendojmë që në bashkëpunim me kompanitë e sigurimit në vitet e ardhshme të krijojmë një skemë të sigurimit të kulturave bujqësore ashtu që kur të ndodhin të papriturat të mos jemi të papërgatitura dhe të mbesim në mëshirën e buxheteve që mund të na teprojnë”, tha Krasniqi.
Me këto investime, sipas Krasniqit, do të gjenerohen edhe shumë vende të reja të punës, e po ashtu, përmes programit për zhvillim rural do të përkrahen rreth 500 fermer apo ndërmarrje.
“Ideja jonë dhe sipas vlerësimeve, ne mendojmë që impakti vetëm i programit të zhvillimi rural, pra, i 20 milion eurove të investuara do të jetë gjenerimi i 1100 vendeve të reja të punës me orar të plotë, ndërsa në mënyrë indirekte nga vlerësimet tona do të krijohen deri në 1500 vende të punës. Besojmë që ky është një kontribut tepër i rëndësishëm duke e pasur parasysh që Kosova ende ballafaqohet me nivel të lartë të papunësisë. Pjesa tjetër e këtij impakti është që ne besojmë që nga vlerësimet që kemi nga të gjitha masat që do të jenë rreth 500 fermer apo ndërmarrje që do të përkrahen përmes programit për zhvillim rural”, tha Krasniqi.
Në dallim nga vitet e kaluar në këtë vit do të ketë në rritje të subvencionimeve në të gjitha kulturat bujqësore.
Vetëm në atë të grurit nga viti i kaluar do të ketë rritje të subvencionimit 20 % për hektar, ndërsa në misër dhe luledielli do të ketë rritje në 50% për hektar.