Ministri i Jashtëm i Letonisë pranon publikisht në Twitter se është homoseksual

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka lajmëruar nëpërmjet profilit të tij zyrtar në rrjetin social Twitter se është homoseksual. Ai ka thënë se do të "luftojë" për të legalizuar "çdo lloj marëdhënie me partnerë", qofshin ata edhe të gjinisë së njëjtë.

Bota

07/11/2014 14:45

Rreth 14,000 ndjekësit e Rinkevics në Twitter janë befasuar mbrëmë kur e kanë parë një postim të tij. Rinkevics shokoi letonezët kur publikisht pranoi orientimin e tij seksual. Në twitt-in (cicërimën) e Rinkevics shkruante: “Me krenari lajmëroj se jam homoseksual. Fat të mbarë për të gjithë ju”.

“Vendi ynë duhet të krijojë një status legal për të gjithë llojet e marrëdhënieve me partnerë, dhe unë do të luftoj për këtë gjë. E di se do të ketë një “Mega – Histeri” së shpejti, por jam krenar që jam homoseksual.”

Kjo dalje publike konsiderohet një qëndrim i fortë politik, duke ditur se Letonia është një nga shtetet e BE-së që e ka të ndaluar martesën e gjinisë së njejtë, transmeton lajmi.net. 

Në vend ka një armiqësi të hapur ndaj homoseksualëve dhe ata jo rrallë sulmohen në rrugë apo takime të ndryshme.

Ndër personalitetet e shumta që kanë reaguar ndaj kësaj deklarate ishte edhe ambasadorja aktuale e Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila dikur ishte zëvendës shefe e misionit të SHBA-ve në Letoni. Ajo ka shkruar “Jam krenare që kam punuar me ju. Je i mrekullueshëm”.