Ministri i Jashtëm i Greqisë takohet me partitë shqiptare në Maqedoni

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi, në hapësirat e Ambasadës së Greqisë në Maqedoni kanë realizuar takim me delegacionin e lartë të MPJ-së të Republikës së Greqisë, kryesuar nga Nikolaos Kotzias.

Lajme

24/06/2015 20:07

Në këtë takim është biseduar për shumë çështje, ndër të cilat edhe anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit në NATO dhe BE.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit tha se ka vërejtur interesim të veçantë nga pala greke për zgjidhjen e këtyre çështjeve ndërfqinjësore.

Në komunikatën e PDSH-së thuhet se kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, e ka njoftuar ministrin Kotzias me ofertën e PDSh-së për tejkalimin e kësaj krize politike të brendshme, si dhe nevojën për zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me Greqinë, gjë që do të mundësonte integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se stabiliteti rajonal arrihet nëpërmjet marrëdhënieve të shëndosha ndërfqinjësore, e në këtë kontekst zgjidhja e çështjes së emrit nëpërmjet një kompromisi ka rëndësi të madhe për fqinjësinë e mirë, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, thuhet më tej në komunikatën e PDSH-së.