Ministri i Arsimit: Kosova e meriton të jetë anëtare e UNESCO-s

Kosova është e gatshme, e meriton dhe duhet të jetë anëtare e UNESCO-s. Kështu ka thënë në një intervistë për “Epokën e re” ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Lajme

09/11/2015 08:54

Sipas tij, pranimi në UNESCO është vendosmëri e shtetit të Kosovës për të ndërtuar partneritet të fuqishëm me organizatat ndërkombëtare.

Ministri Bajrami pret sot përkrahje nga vendet që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por edhe nga vendet e tjera që të votojnë në favor të pranimit të Kosovës në UNESCO.

“Bordi Ekzekutiv i UNESCO tashmë ka votuar me shumicë votash që ta pranojë kërkesën e Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare e UNESCO-s. Tani presim që vendimi përfundimtar në favor të Kosovës të merret në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate”

” Ajo që është shumë me rëndësi, është se Kosova është e gatshme, e meriton dhe duhet të jetë anëtare e UNESCO-s. Presim përkrahje nga shumë vende, nga ato që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por edhe nga vendet e tjera. Pranimi në UNESCO është vendosmëri e shtetit të Kosovës për të ndërtuar partneritet të fuqishëm me organizatat ndërkombëtarë”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa duke folur për përpjekjet e Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është fitore kundër të tjerëve, por e drejtë e patjetërsueshme e vendit tonë për mbështetje dhe emancipim në aspektin arsimor, shkencor dhe kulturor. /Epoka e Re