Ministri Bajrami thirrje Rektoratit dhe OVL-UÇK-së për një zgjidhje të shpejtë

Ministri Arsim Bajrami u ka bërë thirrje Rektoratit dhe shoqatave të dala nga lufta që sa më shpejt ta zgjidhin kontestin disa mujor rreth pranimit me automatizëm të më shumë se 1000 studentëve, nga listat e këtyre shoqatave.

Lajme

03/01/2015 19:22

Në një prononcim për KTV-në, ministri Bajrami ka thënë se nuk ka më kohë për të humbur, pasi sipas tij, kandidatët janë në pritje dhe atyre u është premtuar se mund ta marrin statusin e studentit në Universitetin “Hasan Prishtina”, duke aluduar në memorandumin e nënshkruar vite më parë, raporton KTV. 

Sipas tij, edhe në takimet e ditëve të fundit, Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë ofruar mbështetje për palët dhe thotë se protesta për çështje të tilla nuk dëshiron të shohë në të ardhmen. 

Ndërkohë, ministri Bajrami, përveç kësaj sfide, një problem tjetër në të ardhmen, thotë se e sheh integrimin e komunitetit serb në planprogramet e institucioneve arsimore të Kosovës. 

Ky komunitet vazhdon të punojë me planprogram dhe kalendar të shtetit të Serbisë, ku arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme po i mësojnë nxënësit e tyre me planprogram serb, duke mos respektuar kështu ato të Kosovës. 

Bajrami është zotuar që zhvillimin e sektorit të arsimit ta bëjë prioritet qeveritar, pasi sipas tij, ngritja e cilësisë në këtë fushë, mbetet sfida më e madhe pas pavarësisë.

Një nga hapat drejt një synimi të tillë, thotë se do të jetë instalimi i autonomisë së universiteteve, mbrojtja e standardeve të larta dhe respektimi i kriterit profesional.