Ministrat e Pafuqishëm

Takimet mes Ministrave për zgjidhjen e ngërçit me Maqedoninë nuk kanë kryer punë. Kryeministri Hashim Thaçi po provon ta përmbyllë problemin duke e ngritur nivelin politik të takimeve. Hapi i ardhshëm, vizita e Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë Musa Xhaferi.

Lajme

11/09/2013 12:11

Zgjidhja e ngërçit mes Kosovës dhe Maqedonisë i ka kaluar një niveli më të lartë politik.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë sot në mbedhjen e Qeverisë se kjo situatë nuk është e shëndetshme as për shtetin e Kosovës as për atë të Maqedonisë dhe se ka rënë dakord me homologun e tij maqedonas Nikola Gruevski që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt.

“Jemi dakorduar që të zhvillojmë takimet në nivel sa më të lartë politik, dhe të përmbyllet mundësisht sot ose nesër.”

“Në emër të Qeverisë së Kosovës të vazhdojnë së diskutuari, Zëvendëskryeministri Kuçi dhe Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila, por me vullnetin që të përmbyllen, sepse nuk është as pamje, as mesazh i mirë as për Kosovën, as për Maqedoninë, as për qytetarët tanë as për qeveritë tona” .

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila e pranon pafuqinë e vet politike për ta zgjidhur problemin tregtar e politik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, të nisur tri ditë më parë.

Ajo i ka bërë thirrje lidershipit politik të të dyja shteteve të angazhohen për ta zhbllokuar kufirin në të mirë të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar një vizitë të Zëvendëskryeministri të Maqedonisë Musa Xhaferi në Kosovë, në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje.

Por, ajo bëri me dije që vendimi për ndalimin e importimit të mallrave maqedone në Kosovë do hiqet vetëm atëherë kur Qeveria Maqedone të heqë taksën e miellit dhe taksën për qytetarët. Kusari- Lila tha se në tregun kosovar nuk është vërejtur mungesa e produkteve që importoheshin nga Maqedonia.

“Hapi i ardhshëm është kordinimi me Zëvendëskryemistrin Xhaferi, në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë, megjithatë komunikimi ynë ka konsistuar në vazhdimësi që të hiqen të gjitha pengesat nga ana e palës maqedone dhe në të njejtën kohë edhe Kosova do heq vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Maqedonia.”

“Qe tre vjet Qeveria e Maqedonisë ka vendosur taksa për miellin. Në takimin e CEFTA’s në Beograd më 22 korrik, Maqedonisë i është dhënë afat deri më 2 shtator që t’i heq këto masa. Por, pas 2 shtatorit Qeveria e Maqedonisë ka deklaruar se i duhet kohë për këtë vendim  dhe prandaj ne  kemi reaguar.”