Mini – Schengeni i panevojshëm përderisa Serbia dhe Bosnja nuk e njohin Kosovën

Liderët e Ballkanit Perëndimor, për herë të dytë brenda një muaji, u takuan pa Kosovën.

Lajme

11/11/2019 17:30

Kësaj radhe Samiti u mbajt në Ohër të Maqedonisë Veriore, takim ky për krijimin e një Mini-Schengeni ballkanik.

Edhe pse në Ohër u ftua edhe Kosova, presidenti Hashim Thaçi e refuzoi këtë ftesë, për të cilën ai tha se kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Teksa e ka arsyetuar vendimin e tij për ta bojkotuar këtë Samit, Thaçi tha se synimi i vetëm i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Së pari, Kosova qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO. Prandaj ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale”, ka deklaruar Thaçi.

Pjesë e takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë as kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj.

Por, Samiti i djeshëm, i mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është bërë cak i kritikave nga liderët kosovarë, të cilët këtë projekt e cilësuan si hap drejt një Jugosllavie të re.

I pari që reagoi ndaj këtij projekti ishte Kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili tha se projektet e tilla në shikim të parë duken atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë, pa Kroacinë dhe pa Slloveninë.

Reagime pati edhe nga liderët e tjerë kosovarë si dhe nga Shqipëria.

Ndërkohë ndaj krejt këtyre deklaratave ka reaguar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili tha se ideja e Mini-Schengenit nuk është ta ndajë Ballkanin, por t’i bashkojë të gjitha vendet.

Analisti politik, Blerim Burjani duke folur për lajmi.net ka thënë se Rama po mundohet ta zbulojë ujin e nxehtë, pasi sipas tij, në shtetet e Ballkani Perëndimor udhëtohet pa pasaporta vetëm me letërnjoftim.

“Rama po zbulon përsëri ujin e nxehtë, edhe ashtu në shtetet e Ballkani Perëndimor udhëtohet pa pasaporta vetëm me letërnjoftim. Qytetaret e Kosovës udhëtojnë pa pasaporta por vetëm me letërnjoftim në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, ndaj nuk ka nevojë për të ashtuquajtur Mini -Shcengen. Ballkani ka nevojë për integrim në BE. Kosovën nuk e njeh Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, andaj ende nuk ka ndonjë përparim në relacionet e tilla, Mini – Schengen apo udhëtim me letërnjoftime apo edhe pa asnjë dokument mund të ndodhë vetëm më një marrëveshje të shteteve për lëvizje të lirë, realisht nuk ka nevojë për imitim të BE por ka nevojë për integrim në BE”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, Bashkimi Evropian ka synime të çuditshme për Ballkanin Perëndimor. Derisa ka shtuar se Kosova duhet të ec vetëm drejt BE-së.

“BE-ja ka synime të çuditshme për Ballkanin. Vetëm që të mos inkorporoj shpejtë shtetet ka propozuar union doganor kush e di tjetër çka do të propozoj. Kosova duhet të ec vetëm drejt BE-së dhe integrimit këto tjerat janë gjëra të dështuara vetëm humbje kohe, Ballkani nuk duhet lejoj Serbinë nacionaliste , hegjemoniste të merret me tema ku dominon Serbia dhe politika e plaçkitjes territoriale”, ka thënë Burjani

Mini-Schengeni Ballkanik parasheh lëvizjen e lirë të qytetarëve të këtij rajoni vetëm më kartë identiteti.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama miratuan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës, siç u tha më pas, synohet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.

Në takimin e Ohrit morën pjesë pos liderëve të vendeve të Ballkanit, pa Kosovën, edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Këshillit për bashkëpunim rajonal dhe të Bankës Botërore, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Evropiane e Investimeve.

Mbledhja e radhës do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës, ku pritet të jetë i pranishëm edhe shefi i ri i diplomacisë Evropiane Joseph Borrell. /Lajmi.net/