Minatorët e’89 meritojnë status të veçantë
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, premton angazhimin e partisë së tij për ngritjen e mirëqenies së të gjithë minatorëve në përgjithësi.
Lajme
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se minatorët e vitit 1989 meritojnë status të veçantë në Kosovë.
Veseli këto komente i ka bërë në llogarinë e tij në Facebook ku ka premtuar angazhimin e partisë së tij për ngritjen e mirëqenies së të gjithë minatorëve në përgjithësi.
“Si subjekt politik iu premtojmë se do të angazhohemi për statusin e tyre dhe për ngritjen e mirëqenies sociale për të gjithë minatorët në përgjithësi”.
“Sa herë që jam në mesin e minatorëve gjatë javës së tyre, ndihem i privilegjuar kur kujtoj grevën e vitit 1989. Pikërisht nga kjo grevë e nëntokës filloi edhe lëkundja e themeleve të shtetit që shtypte e përdhoste lirinë tonë, filloi rrënimi i Jugosllavisë famëkeqe”.
“Minatorët, me grevën e madhe dhe me sakrificën e tyre alarmuan ndërgjegjen e botës së qytetëruar për shtypjen dhe shfrytëzimin që i bëhej Kosovës. Ata mposhtën frikën ndaj vdekjes dhe zgjuan vlerat e fjetura që sollën lirinë – zgjuan fuqishëm atdhedashurinë, unitetin dhe guximin e popullit të Kosovës!”.
“ Sot, kur e kujtoj atë kohë kam parasysh rrugën e vështirë që kemi kaluar, plot dhimbje, sakrifica dhe heroizëm. Kujtoj minatorët, që me modesti ndajnë lavdinë me të gjithë brezat që sakrifikuan në rrugën e lirisë, duke mbetur edhe sot jehonë e rrugës së shtetndërtimit”.