Minatorët e Trepçës tash e dy muaj pa paga- Përgjegjësia bartet nga njëri tek tjetri, problem thuhet të jenë borxhet e akumuluara
Minatorët e Trepçës brenda dy ditëve mbushin plotësisht dy muaj që nuk iu janë transferuar pagat në xhirollogaritë e tyre. Për këtë, dje ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, të cilët kanë thënë se interesimi nga Qeveria, Ministria dhe Bordi i Minierës në lidhje me minatorët është zero. SPMK gjithashtu është…

Lajme
Minatorët e Trepçës brenda dy ditëve mbushin plotësisht dy muaj që nuk iu janë transferuar pagat në xhirollogaritë e tyre.
Për këtë, dje ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, të cilët kanë thënë se interesimi nga Qeveria, Ministria dhe Bordi i Minierës në lidhje me minatorët është zero.
SPMK gjithashtu është shprehur se mos realizimi i pagave të minatorëve i ka lënë të njëjtit buzë humnerës si dhe përbën shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
“Puna nuk është duke vazhduar normalisht, gjendja është shumë e rënduar për shkak të mungesës së pagave. Ata duhet të vendosin vetë se kur minatorët duhet ta vazhdojnë apo ndërprenë punën. Ne nuk kemi kontakt as me Qeverinë as me bordin, përveç ditën e premte që Bordi ka qenë direkt te minatorët. Nuk ka pasur diçka konkrete vetëm se kanë informuar që janë duke bërë plane mirëpo nuk kanë dhënë datë apo ditë të caktuar se kur do të përfundojnë ato plane”, është shprehur Jonuzi.
Lajmi.net për arsyen se pse nuk po ekzekutohen pagat ka kontaktuar edhe me Donika Osmani-Mehmetin, zyrtare për komunikim me publikun nga bordi i ndërmarrjes “Trepça” e cila ka thënë se ky problem me paga ka ardhur si pasojë e problemeve financiare me të cilat po përballet ndërmarrja, borxheve të akumuluara ndër vite dhe të trashëguara nga e kaluara.
“Punëtorët e ndërmarrjes Trepça në fund të muajit qershor kanë marrë pjesën e dytë të pagës së muajit maj, ndërsa paga e qershorit do duhej ekzekutuar nga data 1-10 korrik, por ende nuk kemi arritur ta realizojmë një gjë të tillë. Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A. së bashku me menaxhmentin janë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës për ta zgjidhur çështjen në fjalë dhe të ju mundësohet minatorëve që të kthehen në vendet e tyre të punës”, është shprehur Osmani-Mehmeti për lajmi.net.
Ajo ka thënë se duke e kuptuar rëndësinë e kësaj çështje, janë të angazhuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë në mënyrë që të rikthehet normaliteti në vendin e punës së minatorëve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të ndërmarrjes “Trepça”, e që sipas tij ka rezultuar me mosekzekutimin e pagave.
Sipas Shalës, për katër vite në këtë minierë nuk ka asnjë investim serioz, që do të rriste produktivitetin e punës, mirëqenien e punëtorëve por do të rriste edhe prodhimin në rend të parë.
“Faktikisht atje nuk ka prodhim, ka muaj që nuk punohet. Për katër vite Qeveria Kurti katër herë ka ndërruar menaxhmentin dhe bordin ka vendos militant politik dhe partiak. Normalisht tashmë ndërmarrja është para falimentimit, me dhjetëra milionë euro borxhe, mos realizim të asnjë plani të punës dhe me lojëra politike që Qeveria ka bërë dhe po bën me ndërmarrjen Trepça”, ka thënë Shala për lajmi.net.
Ai gjithashtu ka thënë se tashmë është vonë që Qeveria të mund të reagoj por që sipas tij mund të ketë edhe një projekt të fundit.
“Tashmë është tepër vonë qe Qeveria të reagoj sepse e ka shkatërruar bërthamën jo vetëm në Trepçë por edhe në KEK dhe komision te minierave, megjithatë është një plan shpëtimi i ndërmarrjes e që do të duhej Qeveria të kishte qartësi të plotë dhe një projekt të madh të ristrukturimit të përgjithshëm edhe kadrovik edhe teknologjik edhe strategjik”, ka shtuar Shala.
Sipas Shalës, i cili për katër vite ishte edhe drejtor i Trepçës, Qeveria nuk po ndërmerr asnjë masë për “të shpëtuar” ata punëtorë.
“Qeveria ka dërguar disa emisar të vet, koleg politik të cilët po realizojnë disa qëllime të veta të errëta duke vendosur të afërmit e tyre nëpër pozita menaxhuse, dhe i vetmi reagim është ky. Parimisht, Qeveria ka hequr dorë në kuptimin zyrtar nga mbështetja apo interesi për ndërmarrjen edhe pse Qeveria është aksionar 80%”, ka thënë Shala në një prononcim për lajmi.net.
Lajmi.net ka tentuar të kontaktoj edhe me zyrtarin për media nga Qeveria e Kosovës, Përparim Kryeziu nga i cili nuk ka marrë përgjigje, e deri më tani në lidhje me këtë çështje nuk ka reaguar askush nga Qeveria e Kosovës.
Për vonesat me pagat e minatorëve të Trepçës kanë reaguar edhe disa deputetë të opozitës të cilët e kanë fajësuar Qeverinë Kurti.
Kryeministri Kurti, ndonëse gjatë kohës sa ishte në opozitë deklaronte se ndërmarrja “Trepça” ishte fuqi ekonomike e Kosovës, deri më tani ka vendosur të mos reagoj dhe të mos marrë përgjegjësi për këta minatorë.
“Trepça na nevojitet për zhvillim tonë ekonomik, sepse një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende pune të reja mbi tokë”, pati thënë Kurti në vitin 2018. /Lajmi.net/